Foto: ZKM

Kurti në 5-vjetorin e vdekjes së Demaçit: Ai ishte busulla e lirisë për shqiptarët në Jugosllavi

Nën patronazhin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është mbajtur sot akademi përkujtimore për nder të veprimtarit dhe intelektualit Adem Demaçi, në pesëvjetorin e vdekjes së tij.

Kurti ka thënë se sa herë që i vjen rasti të flasë për Adem Demaçin, përballet me vështirësinë e të orientuarit në botën aq të madhe që ai e ka ndërtuar me vepra.

Ai e ka quajtur Demaçin njëri të veçantë saqë autentik në historinë politike të shqiptarëve dhe të Evropës në shekullin XX.

“Adem Demaçi ishte busulla e lirisë për shqiptarët në Jugosllavi! Sepse ai i kishte dëshmuar me trup dhe me mendje të tri Jugosllavitë: kishte lindur në vitin 1936 në Jugosllavinë e parë apo monarkiste, kishte kaluar 28 vite burgim në Jugosllavinë e dytë apo të Titos dhe e kishte luftuar aktivisht dhe fuqishëm Jugosllavinë e tretë apo atë Millosheviqit”- është shprehur Kurti.

Sipas njoftimit, Kurti para të pranishmëve ka thënë se baca Adem shihej si problematik për pushtetin e Beogradit, meqë e kishte kundërshtuar nxitjen e shpërnguljeve të shqiptarëve në Turqi dhe aksionet përndjekëse për grumbullimin e armëve.

Gazetar dhe shkrimtar në profesion, guximtar dhe patriot në drejtim, aktivist dhe politikan në veprim, disident dhe i pathyeshëm në metoda, i ditur në mendje dhe njerëzor në zemër. Ky, sipas Kurtit, ishte Adem Demaçi përballë shkrimit, përballë burgjeve, përballë lirisë dhe përballë historisë.

Demaçi vdiq më 26 korrik të vitit 2018, në moshën 82-vjeçare.

Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e ish-Jugosllavisë dhe ka luftuar për barazinë e Kosovës me republikat e tjera të ish-Jugosllavisë.

Ai është quajtur edhe “Nelson Mandela” i Europës.

Foto: ZKM