Kurti në Podujevë: Demaçi e ktheu lirinë në kusht të ekzistencës

Sot në Podujevë është bërë zbulimi i shtatores së veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

Kryeministri Kurti ka thënë se Adem Demaçi e ka kthyer lirinë në kusht të ekzistencës.

Kurti më tej duke përmendur edhe lirinë, ka cituar se “kur diktatura nuk e kërcënon atë, duhet dyshuar te liria.

“Na nevojitet një homazh i thellë për një shpirt kaq gjithëpërfshirës, ngase u deshtë një guxim i madh për ta mbajtur një shpirt kaq të lirë. Lipset një vetëdije e paskaje për ta mbajtur një vetëdije të paepur. Për ne si ndjekës të përpjekjeve të tij do të jetë gjithnjë e vështirë të përkufizojmë personalitetin e kësaj përmase. Por, na duhet t’i përkufizojmë në gjuhë dhe në gurë, sepse këta janë dy binarët ku mbështetet treni ynë i historisë. Mbi vargun dhe kullën, ne urojmë që monumenti ynë kushtuar heroit tonë të mendimit të lirisë të jetë edhe kullë edhe gjuhë, sipas kërkesave të vetë Adem Demës drejtuar komadantit Adem dhe Jasharave” – tha kryeministri Kurti.

“Adem Demaçi prehet i qetë sepse jetojë përnjëmend. Ai e kishte devizën e vet, nuk ka pse vlen një jetë padrejtësinë që duhet për ta mbajtur gjallë” – tha mes tjerash Kurti.

Vlera e kësaj shtatoreje të bronztë është 59 mijë e 950 euro sipas tenderit të hapur nga Komuna e Podujevës.

Demaçi vdiq më 26 korrik të vitit 2018, në moshën 82-vjeçare.

Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e ish-Jugosllavisë dhe ka luftuar për barazinë e Kosovës me Republikat e tjera të ish-Jugosllavisë.

Për angazhimin e tij politik për çështjen e Kosovës, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë.

Ai është quajtur edhe “Nelson Mandela” i Europës.