Adem Demaçi. Foto: Facebook

‘Studenti pritet t’i rinovojë shtëpinë mësuesit të tij politik‘, 50 mijë euro për shtëpinë e Adem Demaçit

Në buxhetin e vitit 2024, përveç tjerash janë buxhetuar edhe 50 mijë euro për renovimin e shtëpisë së veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

Sipas këtij projektbuxheti, punët në renovimin e shtëpisë së Demaçit pritet të nisin kah muaji mars i vitit të ardhshëm. Mjetet për renovimin e saj, u ndanë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Kujtojmë se në një intervistë për televizionin N1 të Bosnjës, duke folur për dialogun me Serbinë, kryeministri Albin Kurti kishte thënë se ai është student politik i Adem Demaçit.

“Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë sot, është student politik i Vojisllav Sheshelit. Ndërsa unë, si kryeministër i Republikës së Kosovës, unë jam student politik i Adem Demaçit. Dhe ky ballafaqim, kjo përplasje ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, është në një mënyrë thelbësore, përplasje ndërmjet Adem Demaçit, atij vizioni dhe asaj trashëgimie dhe Vojisllav Sheshelit në anën tjetër…”, përcjell KALLXO.com.

Ndryshe, buxheti i Kosovës për vitin 2024, i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 31 tetor 2023, është 3 miliardë e 314 milionë euro.

Kështu kishte deklaruar kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë e cila u mbajt me pikën e vetme të rendit të ditës mbi ndarjen buxhetore për buxhetin e vitit të ardhshëm.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, e cila është mbajtur më 16 nëntor 2023, projektligji për buxhetin për vitin 2024 u miratua në lexim të parë, pas më shumë së 10 orëve diskutim.

Ndërsa, tri partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës janë larguar nga salla e Kuvendit pas mbylljes së diskutimeve për këtë projektligj.

Deputetët e PDK-së, LDK-së e AAK-së nuk morën pjesë në votimin në parim të këtij Projektligji.