Video: Autoblinda e policisë kalon barrikadat e vendosura në Zubin Potok

Pas vendosjes së barrikadave nga serbët lokal në Zubin Potok, Policia e Kosovës ka larguar ato me anë të autoblindave të tyre.

KALLXO.com ka siguruar video të autoblindës e cila kalon në rrugën ku serbët kishin vendosur barrikada për të parandaluar aksionin e tyre për arrestimin e disa personave të dyshuar.

Në videon e parë shihen së paku tre kamionë të cilët ishin vendosur nga serbët lokal në përpjekje për t`i penguar njësitë e Policis♪7 në përmbushjen e detyrave të tyre ligjore. poashtu në video shihen edhedrunjë të prerë dhe vendosur në mes të rrugës

Në videon e dytë në rrugë janë të vendosura 7 automjete të rënda dhe goma të djegura.

 

KALLXO.com ka raportuar sot në vazhdimësi për aksionin e Polcisë së Kosovës i cili filloj në orët e hershme të mëngjesit.

Pas përfundimit të aksionit, Prokuroria së bashku me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor kanë mbajtur një konferencë për media ku kanë folur për rezultatet e këtij aksioni.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha ka thënë se aksioni që është realizuar sot në tërë Kosovën është përgatitur që nga prilli i vitit të kaluar.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale i ka filluar hetimet nga prilli i vitit të kaluar ndaj disa personave të dyshuar, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, krim të organizuar dhe kontrabandim, marrje e ryshfetit, dhënie e ryshfetit etj”, ka thënë Hoxha.

“Gjatë kësaj periudhe, PS së bashku me policinë dhe ipk kanë kryer shumë veprime procedurale. Janë përdorur masa të fshehta. Gjatë kësaj periudhe janë dëgjuar edhe dëshmitarë. Pas këtij aktiviteti 1 vjeçar, PS pasi ka grumbulluar provat ka parashtruar kërkesë për urdhër kontroll të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse për të gjithë këta të dyshuar. Kemi zyrtar policor epror”, deklaroi tutje Hoxha në një konferencë për media.

“Në mesin e të dyshuarve kemi edhe qytetar të cilët kanë kryer veprimet e tyre që dyshohen për kontrabandim”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka dhënë detaje mbi arrestimin e një shtetasi rus gjatë aksionit të sotëm në veri të vendit.

“Po është e vërtetë që në menjanimin e barrikadave, në njërën nga barrikadat ka qenë edhe një veturë e UN (Kombet e Bashkuara), dhe në të ka qenë një zyrtar i UN-it me prejardhje nga shteti rus dhe një zyrtar lokal që punon për UN-in. Arsyeja pse ne i kemi marrë ka qenë pjesëmarrja në barrikada”, ka deklaruar drejtori i Policisë.

Ai ka folur edhe për detajet tjera të aksionit, duke treguar edhe problemet që forcat e rendit i hasën në Zubin Potok.

“Mund të them qe operacioni ka filluar në 6:00 të mëngjesit. Kemi pasur bukur shumë probleme në Zubin Potok. Policia ka hasur në një pritë me gjuajtje me armë. Janë dy zyrtarë policor të plagosur lehtë. Duke parë këtë rrethanë të krijuar kemi dhënë urdhër për angazhimet elite dhe kemi filluar që ti eliminojmë barrikadat në rrugë dhe të depërtojmë deri në Zubin Potok” ka thënë Qalaj.

“Mund të them që kemi pasur edhe tre zyrtar të lënduar por jo nga arma e zjarrit por nga intervenimet ose gjatë heqjes së bartikadave kemi ashtu edhe 6 qytetarë të lënduar”, deklaroi tutje shefi i forcave të rendit.

Sipas tij, aksioni ka pasur efektin e vetë dhe është mjaftë i suksesshëm.

“Ka pasur edhe bastisje në Mitrovicën e Jugut nën dyshimet e njëjta. Kemi arrestuar disa qytetarë. Nuk kemi pasur të lënduar rëndë dhe as fatalitete. Në disa lokacione kemi gjetur 11 armë të zjarrit dhe telefona”, tha në fund Qalaj.

Ndërsa, Miradije Kelmendi nga Inspektorati Policor i Kosovës në konferencë për media, ka treguar për planin operativ për arrestimin e disa personave përfshirë edhe zyrtarë policor, gjatë operacionit të sotëm në veri të vendit.

Kelmendi bëri të ditur se në këtë operacion janë bastisur 12 lokacione si dhe 19 punonjës policorë janë arrestuar.

“Prej tyre 11 janë të nacionalitetit serb, 4 shqiptarë dhe  4 të nacionalitetit boshnjak. Prej tyre 1 ka qenë i gradës kapiten, 3 në gradën e rreshterit dhe të tjerët pjesëtarë policorë”, ka thënë ajo.

Kelmendi shtoi se zyrtarët policor janë suspenduar nga puna.

“Të gjithë të arrestuarit janë dërguar në ndalim për 48 orë”, tha zyrtarja e IPK-së në konferencën për media.

Sipas Kelmendit, gjatë aksionit janë konfiskuar edhe gjësende të ndryshme si armë, pajisje teknologjike dhe para.

Policia e Kosovës sot në orët e para të mëngjesit ka zhvilluar një operacion në komunat veriore, ku ka arrestuar disa persona me dyshimin për kontrabandë dhe krim të organizuar.