Vetëvendosje kërkon mobilizim popullor kundër Thaçit

Lëvizja Vetëvendosje nuk i përjashton protestat, si kundërshtim ndaj presidentit Hashim Thaçi për pjesëmarrje në dialogun Kosovë-Serbi.

Duke iu përgjigjur pyetjes së KALLXO.com, deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu tha se kjo lëvizje është duke punuar edhe pse Kuvendi është në pushim.

“Ne jemi organizatë e gjerë, ne nuk jemi në pushim, ndonëse Kuvendi është në pushim, ne jemi duke punuar në terren. Ne nuk besojmë se Kuvendi është i vetmi institucion ku mund t’i ndalim pazaret që po bëhen në emër të Republikës së Kosovës. Duke e parë situatën aktuale, është i jashtëzakonshëm mobilzimi gjithë popullor për ta ndalur Thaçin dhe dëmet që po na i sjell. Nuk përjashtohen as protestat dhe as format e tjera që mund t’i bëjmë brenda hapësirave të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu.

Deputetja, deklaratat e Thaçit për korrigjim të kufijve i quajti skandaloze.

“Hashim Thaçi është njeriu i cili na e ndryshoi kufirin me Malin e Z duke na i humbur 8200 hektarë dhe nuk ka kredibilitet dhe legjitimitet të na flasë për ndryshim të kufirit me Serbinë. Thaçi nuk duhet ta takojë më presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Takimi për në shtator është i papranueshëm dhe do ta kundërshtojmë atë”, shtoi ajo.

Vetëvendosje ka kundërshtuar edhe dërgimin në Bruksel të draft-statutit për Asociacionin.

“Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se 23 nene të Kushtetutës së Kosovë shkelen me marrëveshjen për Zajdenicën. Andaj ekipi menaxhues, me katër serbë, dy nga veriu dhe dy nga jugu është ekip jo kushtetues. Takimet kanë qenë jo kushtetuese. Çdo lloj letre e shkruar është poashtu jo kushtetuese dhe këtë duhet ta dijë edhe kryeministri i vendit që bën kinse nuk merr vesh asgjë, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Frederika Mogherini dhe secili ambasador tjetër në Kosovë. Çfarë qeverie është kjo kur nuk kanë asnjë informacion lidhur me draftin e statutit dhe pse duhet lejuar që ky dokument të shkojë në Bruksel”, deklaroi Haxhiu.

Ndërsa, deputetja tjetër e VV-së, Arbërie Nagavci kërkoi respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Serbia i ka shumë më tepër borxh Kosovës. Të kërkojë falje për krimet e luftës dhe të paguajë dëmshpërblim për të gjitha vuajtjet”, tha Nagavci.