Foto: Facebook

Vetëvendosje kërkon dorëheqjen e presidentit dhe 5 udhëheqësve qeveritarë

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar sot dorëheqjen e disa udhëheqësve qeveritarë, të cilët, sipas saj, janë duke e dëmtuar Kosovën në vazhdimësi.

Në një konferencë për media, deputetet Fitore Pacolli e Albulena Haxhiu, kërkuan dorëheqjen e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, kryeministrit Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj, zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe ministres së Integrimeve Europiane Dhurata Hoxha.

Deputetja Fitore Pacolli tha se kanë marrë informacione se nga takimet e fundit që janë bërë pas vendimit të Komisionit Europian shtetet që është pritur që të jenë pro liberalizimit të vizave janë kundër.

Ajo tha se bëhet fjalë për shtete si Gjermania, Franca, Belgjika e Holanda.

“Nëse i shohim veprimet e fundit të qeverisë mesazhet që po i dërgon BE-ja në Kosovë, qeveria nuk po e merr seriozisht përkundrazi po vazhdon me skandale të njëpasnjëshme, duke përfshirë këtu edhe nismën e fundit të presidentit të Kosovës për korrigjimin e kufijve. Për ta komplikuar situatën zëvendësministri Enver Hoxhaj i dërgoi deklarata kërcënuese Bashkimit Europian se nëse nuk e bëjnë liberalizmin e vizave gjatë këtij viti atëherë Kosova duhet të shqyrtojë mënyrën se si t’i qasemi BE-së dhe Bashkimi Europian mbetet një institucion që nuk duhet t’i besojmë”, theksoi Pacolli.

Sipas deputetes, udhëheqësit aktualë po e rrezikojnë të ardhmen e Kosovës, prandaj edhe kërkoi që të dorëzojnë dorëheqjet tyre.

“Hashim Thaçi nga viti 2009 ka manipuluar qytetarët e Kosovës, Ramush Haradinaj i cili u bë kryeministër dhe në emër të vizave i fali Malit të Zi 8 mijë e 200 hektarë tokë, ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri dhe ministrja e Integrimeve Europiane Dhurata Hoxha duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të japin dorëheqje”, përfundoi ajo.

Ndërkaq, deputetja Albulena Haxhiu deklaroi se “klika e PDK-së” me disa udhëheqës të tjerë që janë bashkuar si pasojë e interesave personale kanë propaganduar se pas votimit të demarkacionit me Malin e Zi, Kosova do t’i merrte vizat.

Ajo theksoi se “papërgjegjësinë e tyre dhe krimin e tyre po mundohen t’ia hedhin herë opozitës, herë Bashkimit Europian dhe herë qytetarëve”.

“Ministrja e Integrimeve Europiane Dhurata Hoxha tha se nuk i ka fajet klasa politike për mosliberalizimin e vizave por qytetarët që po e braktisin vendin. PDK që 10 vite drejton dikasteret më të rëndësishme. Pse qytetarët migrojnë ilegalisht është sepse kërkojnë jetë më të mirë. Shumë punëtorë në vend të mirëqenies e kanë gjetur vdekjen në vend të punës. Liberalizmi i vizave nuk vjen me këta njerëz”, theksoi Haxhiu.