Kadri Veseli - FOTO KALLXO - 06.02.2019

Veseli për vizat: Bashkimi Europian po bën hile

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot pas mbledhjes së Kryesisë ka deklaruar se çdo vonesë e cila është duke ndodhur nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën,  e dëmton vetë kredibilitetin e vetë BE-së karshi vetë vendeve anëtarëve të saj.

“Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret të cilat janë dashur për të fituar të drejtën për lëvizje të lirë por ai është problem tek e fundit i BE-së  Jemi vendi i vetëm, jemi qytetarët e vetëm, që për 12 vite qytetarët më pro-evropianë janë të izoluar”, tha ai.

Veseli shtoi se në këtë çështje ka edhe “hile” nga BE-ja.

“Të njëjtën kohë çdo vit janë duke na i marr të rinjtë tonë, kjo është pak shqetësuese për arsye se kuadro të kualifikuar po i marrim, po u japin puna dhe ndërkohë qytetarët nuk po lejohen të lëvizin të lirë. Edhe kjo e ka hilen e vet. Jemi të sigurtë që me liberalizimin e vizave njerëzit do ta shohin perspektivën më mirë sesa nga kjo aktualja”, u shpreh ai.