Kadri Veseli - Foto: Atdhe Mulla

Veseli komenton letrën e Donald Trump dërguar Thaçit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka komentuar letrën e presidentit amerikan Donald Trump drejtuar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit.

Sipas Veselit, letra e Trump është një mesazh i qartë përkrahës për Kosovën dhe shtetësinë e saj.

“Letra e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, drejtuar Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është një mesazh i qartë përkrahës për Kosovën dhe shtetësinë e saj. Është edhe një dëshmi shtesë për miqësinë e natyrshme dhe të përjetshme mes Kosovës dhe SHBA-ve”, ka shkruar Veseli në rrjetin social “Facebook”.

Sipas tij, dialogu është një proces i vetëm për zgjidhjen e problemeve.

“Dialogu është e vetmja mënyrë për zgjidhjen e problemeve dhe thirrja e Presidentit të SHBA-ve është thirrje për të gjithë akterët në politikë që t’i bashkohen rrugëtimit tonë në Dialog për njohje të Kosovës nga Serbia dhe anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, shkruan tutje Veseli.

Kryetar i Kuvendit ka ftuar LDK-në dhe LVV-në që t’i bashkohen ekipit negociator për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ftoj edhe një herë Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje që t’i bashkohen Ekipit Shtetëror, i miratuar para disa ditëve në Kuvendin e Kosovës dhe që bashkë të forcojmë Kosovën. Kosova është e bekuar me miqësinë që ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Veseli.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com ka raportuar se presidenti Hashim Thaçi ka pranuar një letër nga presidenti amerikan Donald Trump.

Në këtë letër, presidenti Trump  ka kërkuar nga presidenti Thaçi dhe liderët e Kosovës që të shfrytëzohet ky moment unik, që të flasin me një zë, me qëllim të arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë.

https://kallxo.com/trump-i-premton-thacit-vizite-ne-shtepine-e-bardhe-nese-arrihet-marreveshja-me-serbine/?fbclid=IwAR1ThfI_vsPcCokODhrGF5Q7M74xwU4ctetWnf8g34ELSSaJLz9gSscwqq8

“Dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike, do të ishte një kthim tragjik mbrapa, sepse një mundësi tjetër për marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse, vështirë se do të mund të përsëritet për një kohë të gjatë”, thuhet në letrën e Trumpit.