Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryetari i Parlamentit Europian, Antonio Tajan - Foto: Facebook/KadriVeseli

Veseli falënderon eurodeputetët që po përkrahin liberalizimin e vizave

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka falënderuar institucionet e Bashkimit Europian dhe eurodeputetët, për përkrahjen e madhe që i kanë dhënë procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Institucionet e Kosovës nuk duhet ndalur punën deri në përmbushjen e së drejtës themelore dhe meritore për të lëvizur lirshëm në Europë”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Ai ka thënë se si Kuvend kanë filluar një iniciativë që ka gjetur mbështetje nga institucionet e vendit dhe nga shtetet anëtare të BE-së.

Veseli më tej ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, por se këtu nuk përfundon i gjithë obligimi i saj.

“Në këta muaj vendimtarë, ne duhet të vazhdojmë përmbushjen e agjendës sonë europiane, ndërsa komunikimi me të gjitha institucionet e BE-së dhe çdo mekanizëm tjetër ndikues në këtë proces duhet të intensifikohet”, ka përfunduar Veseli.