Veseli e Mustafa me Qëndrime të Ndryshme për Procedimin e Demarkacionit

Derisa shefi i LDK-së, Isa Mustafa, thotë që u pajtua me ambasadorin Greg Delawie që ta procedojnë demarkacionin pas mocionit të mosbesimit që do të dalë nesër në Kuvend, shefi i PDK-së, Kadri Veseli, thotë se është marrë vesh me Zëvendës Ndihmësin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Hoyt Yee, që demarkacioni duhet të procedohet para mocionit.

Në komunikatën e lëshuar nga PDK, thuhet se Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka zhvilluar një bisedë telefonike me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Hoyt Brian Yee,  në të cilën janë marrë vesh që demarkacioni të procedohet para mocionit.

“..Veseli ka diskutuar me diplomatin amerikan Hoyt Yee edhe për kërkesën e qartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Qeveria dhe Kuvendi të procedojnë me demarkacionin nesër (e mërkure) para mocionit të mosbesimit të qeverisë”, thuhet në komunikatë.

PDK njofton se në rast të mos procedimit të demarkacionit para mocionit ndaj qeverisë, duhet të lëvizet përpara në rrugëzgjidhje tjera.

Por, vet Kryeministri Mustafa kishte thënë që në koordinim me ambasadorin Greg Delaëie janë koordinuar që demarkacionin ta procedojnë menjhërë pas mocionit.

Të hënën, në komunikatën e lëshuar nga Qeveria, thuhej se Qeveria ka qenë e gatshme që ta procedojë në Kuvend këtë marrëveshje, por që pas diskutimeve të partnerëve të koalicionit u arrit dakordimi që Qeveria e Kosovës ta procedojë marrëveshjen e demarkacionit menjëherë pas seancës së Kuvendit që do të mbahet të mërkurën”.