Ilir Bytyqi (majtas) me të afërmit e tij jashtë Shtëpisë së Bardhë. Foto: Vëllezërti Bytyqi /Flickr.

Vëllai i Shqiptaro-Amerikanëve të Vrarë: Vrasjet Një ‘Njollë për Serbinë’

Pasi takoi prokuroren e re të krimeve të luftës të Serbisë, vëllai i tre shtetasve amerikanë me prejardhje shqiptare që u vranë nga forcat serbe në vitin 1999, tha se ai shpreson për progres në muajt në vazhdim në hetimin për vrasjen e tyre.

Ilir Bytyqi, vëllezërit e të cilit Ylli, Agron dhe Mehmet u vranë nga forcat serbe në korrik të vitit 1999, tha se prokurorja e re serbe e krimeve të luftës Snezana Stanojkoviq “e kontrollon nga afër” hetimin dhe shprehu shpresën se do të ketë disa rezultate pas tre deri në gjashtë muajsh.

“Duhet t’i jepni të drejtën e dyshimit, sepse ajo është prokurore e re në këtë çështje,” tha Bytyqi për BIRN, duke iu referuar faktit se Stanojkoviq e mori detyrën në maj 2017.

Ai i quajti vrasjet e pazgjidhura një “njollë” mbi reputacionin e Serbisë dhe presidentit Aleksandër Vuçiç, i cili i ka premtuar Uashingtonit se vrasësit do të sillen para drejtësisë.

Në korrik të vitit 1999, Ylli, Agroni dhe Mehmet Bytyqi – të gjithë shtetas amerikanë me origjinë shqiptare – u kapën nga policia serbe në kufirin me Kosovën pas përfundimit të luftës ndërsa ndihmonin një familje rome që të largohej nga Kosova.

Trupat e tyre u gjetën më vonë në një varr masiv në një qendër stërvitore policore në Petrovo Selo në Serbinë lindore.

Autoritetet serbe dhe ato amerikane hapën hetime të veçanta për rastin në pranverën e vitit 2002.

Familja Bytyqi beson se Goran Radosavljeviq “Guri”, ish-komandanti i njësisë speciale të policisë dhe i qendrës stërvitore në Petrovo Selo, është i dyshuari kryesor në këtë rast.

Radosavljeviq pohon se ai ishte me pushime në kohën e vrasjeve dhe mohoi çdo krim.

Ai tani është anëtar i bordit ekzekutiv të Partisë Progresive në pushtet e presidentit Vuçiq.

Ilir Bytyqi tha se i tha Stanojkoviqit se ai beson se Radosavljeviqi është “një nga autorët” përgjegjës për vrasjen e vëllezërve të tij.

“Stanojkoviq tha “ky është mendimi yt” dhe ne i thamë se ky nuk është mendimi ynë, por janë faktet që ne dimë,” tha Bytyqi.

Vetë Vuçiq e pranoi se Radosavljeviq ishte përgjegjës për vrasjet e vëllezërve Bytyqi, sipas tre burimeve që folën me BIRN vitin e kaluar.

Ilir Bytyqi tha se Vuçiq duhet të mbajë premtimin që i ka bërë qeverisë amerikane dhe familjes së tij për të identifikuar dhe ndjekur penalisht ata që janë përgjegjës për krimin.

“Ai duhet të vendosë drejtësi. Një president i madh nuk premton diçka dhe më pas s’e mban fjalën,” tha Bytyqi.

Ai e përshkroi trajtimin e favorshëm të kriminelëve të liruar të luftës në Serbi si një “turp” që përcjell mesazhin se “në këtë vend gjithçka është e mundur”.

“Mendimi im është se nëse presidenti Vuçiç dëshiron ta fusë Serbinë në BE, ai duhet të qetësojë gjërat”, shtoi ai.