Ambasada amerikane kërkon nga Serbia të zbardhet vrasja e vëllezërve Bytyqi

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd ka lëshuar një deklaratë në 23-vjetorin e vrasjes së vëllezërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi.

Ambasada amerikane i ka bërë thirrje Serbisë që të mbajë përgjegjësi për ata që kanë kryer këto vrasje.

“Sot bëhen 23 vjet që kur tre shtetas amerikanë, vëllezërit Bytyqi, u ekzekutuan në paraburgim nga policia speciale serbe. Ne nuk do ta harrojmë këtë krim dhe i bëjmë thirrje Serbisë edhe një herë që të mbajë përgjegjësi për ata që kanë kryer dhe kanë mbuluar këto vrasje”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Në mesin e mijëra personave të vrarë gjatë luftës në Kosovë janë edhe vëllezërit Bytyqi, tre shqiptarë nga Prizreni me shtetësi amerikane të cilët u vranë në korrik të vitit 1999 në Serbi.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 20 vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyqi, deri sot nuk ka asnjë të dënuar për këtë krim.

Përpos institucioneve të Kosovës, kjo vrasje ka qenë pikë presioni e ShBA-së ndaj Serbisë, pasi Amerika kërkon me ngulm që të ketë epilog lidhur me vrasjen e shtetasve të tyre.