Varrimi i vëllezërve Bytyqi Foto: Hashim Thaçi Facebook

24 vjet nga arrestimi i vëllezërve Bytyqi, Kurti: Serbia asnjëherë nuk kanë treguar vullnet për hetime të drejta dhe të plota të këtij rasti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar tre vëllezërit Bytyqi, të cilët dyshohet se u vranë në një bazë trajtimi të Policisë serbe pak ditë pas çlirimit të Kosovës.

Kurti ka treguar se vëllezërit Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi kishin kaluar pa qëllim kufirin teksa po përcillnin një familje rome nga Prizreni në Serbi, ku edhe ishin arrestuar.

“Fare pak ditë pas çlirimit të Kosovës, më 23 qershor të vitit 1999, tre vëllezër shqiptarë kishin ndërmarrë një nismë shumë njerëzore: të përcjellnin një familje rome nga Prizreni drejt kufirit me Serbi, që po shkonte drejt Kralevës. Por gjatë këtij udhëtimi, ata të tre e kaluan paqëllimshëm kufirin, për çka u arrestuan nga Policia serbe dhe u dënuan nga Gjykata për Kundërvajtje në Prokuple me 15 ditë burgosje. Kur po përfundonin dënimin, tre vëllezërit Bytyqi, Ylli, Agroni dhe Mehmeti u dërguan në një bazë trajnimi të Policisë serbe, ku u vranë me plumba pas koke dhe ua zhdukën gjurmët”- ka shkruar Kurti.

Sipas tij, trupat e tyre u gjetën në vitin 2001, në një varrezë masive në Petrovo Sello, afër qytezës Kladovo, bashkë me shqiptarë të tjerë të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

Kurti tutje shton se autoritetet në Serbi nuk kanë treguar vullnet dhe gatishmëri për hetim të këtij rasti.

“Sot janë bërë 24 vite nga dita e arrestimit të tre vëllezërve Bytyqi dhe që nga atëherë, autoritetet shtetërore të Serbisë, asnjëherë nuk kanë treguar vullnet dhe gatishmëri për hetime të drejta dhe të plota të këtij rasti. Vëllezërit Bytyqi janë vrarë dhe ky krim është fshehur nga po ata që kanë kryer vrasje dhe fshehur krime lufte dhe kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë. Pavarësisht dëshmive dhe dëshmitarëve që ndër vite janë shfaqur pjesërisht edhe në publik dhe përmes të cilëve është e mundur të zbardhet plotësisht ky krim, ende nuk ka drejtësi për rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi”- ka shtuar më tej Kurti.

Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi kishin lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jetonin në New York, para se në prill të vitit 1999, të ktheheshin në Kosovë, duke iu bashkuar njësitit të vullnetarëve “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Albin Kurti ka theksuar se vëllezërit Bytyqi u vranë pasi kishin qenë ushtarë të UÇK-së dhe ishin qytetarë amerikanë.

Ai më tej shton se do angazhohen që të arrijnë drejtësi për ta.

“Në tetor të vitit 2019 dhe në korrik të vitit 2022, Dhoma e Përfaqësueve e Kongresit Amerikan, ka miratuar dy rezoluta, me anë të të cilave, ShBA-ja i ka kërkuar veprime konkrete Serbisë dhe bashkëpunim me drejtësinë ndërkombëtare, për të nxjerrë para drejtësisë personat e përfshirë në këtë krim. Ashtu siç e ruajmë nderimin me lavdi për luftëtarët e lirisë Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqin, do të vazhdojmë të angazhohemi për të arritur drejtësi për ta, deri në fund”- është shprehur Kurti.