Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit i bën thirrje Serbisë për hetim të vrasjes së vëllezërve Bytyqi

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, i ka bërë thirrje Serbisë që të hetojë rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi dhe të kërkojë llogari nga ata që kryen këtë akt brutal.

Miller tutje potencoi se Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi u ekzekutuan derisa po mbaheshin në paraburgim nga autoritetet serbe.

“24 vjet më parë, shtetasit amerikanë Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi u ekzekutuan derisa po mbaheshin nga Policia serbe. Sërish i bëjmë thirrje Serbisë që të hetojë plotësisht këtë rast dhe të kërkojë llogari nga ata që e kanë kryer dhe fshehur këtë akt brutal. Ne do të vazhdojmë këtë thirrje deri në vendosjen e drejtësisë”- ka shkruar ai.

Postimin e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit e ka shpërndarë edhe ambasada e SHBA-së në Kosovë.

Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi kishin lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jetonin në New York, para se në prill të vitit 1999, të ktheheshin në Kosovë, duke iu bashkuar njësitit të vullnetarëve “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

24 vjet nga arrestimi i vëllezërve Bytyqi, Kurti: Serbia asnjëherë nuk kanë treguar vullnet për hetime të drejta dhe të plota të këtij rasti