Departamenti amerikan i shtetit : Do të vazhdojmë presionin për zbardhjen e vrasjes së vëllezërve Bytyqi

Ned Price, zëdhënës i sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, ka deklaruar se shteti amerikan do të bëjë presion për zbardhjen e rastit të vrasjes së vëllezërve Bytyqi.

Përmes një postimi në rrejtin e tij social “Tëitter”, Price ka kërkuar drejtësi për këtë vrasje.

“Kanë kaluar 23 vite pa drejtësi për tre shtetas amerikanë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, të ekzekutuar derisa ishin në paraburgim, nga policia speciale serbe. Ne nuk do të harrojmë dhe do të vazhdojmë të bëjmë presion për zgjidhjen e këtij rasti”, ka shkruar Price.

Price e kishte ripostuar reagimin e Ambasadës Amerikane në Beogran në të cilën i ka bërë thirrje Serbisë që të mbajë përgjegjësi për ata që kanë kryer këto vrasje.

“Sot bëhen 23 vjet që kur tre shtetas amerikanë, vëllezërit Bytyqi, u ekzekutuan në paraburgim nga policia speciale serbe. Ne nuk do ta harrojmë këtë krim dhe i bëjmë thirrje Serbisë edhe një herë që të mbajë përgjegjësi për ata që kanë kryer dhe kanë mbuluar këto vrasje”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Në mesin e mijëra personave të vrarë gjatë luftës në Kosovë janë edhe vëllezërit Bytyqi, tre shqiptarë nga Prizreni me shtetësi amerikane të cilët u vranë në korrik të vitit 1999 në Serbi.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 20 vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyqi, deri sot nuk ka asnjë të dënuar për këtë krim.

Përpos institucioneve të Kosovës, kjo vrasje ka qenë pikë presioni e ShBA-së ndaj Serbisë, pasi Amerika kërkon me ngulm që të ketë epilog lidhur me vrasjen e shtetasve të tyre.

Ambasada amerikane kërkon nga Serbia të zbardhet vrasja e vëllezërve Bytyqi