Universiteti i Mitrovicës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Caritasin zviceran

Fakulteti i Edukimit në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), që nga sot do të bashkëpunoj me “Caritasin zviceran”, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së arsimit dhe ofrimit të shërbimeve në arsimin parafillor.

Rektori i UMIB-it, Alush Musaj dhe drejtoresha e “Caritasit zviceran” më Kosovë, Vera Hang Arbenz, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, në kuadër të projektit “Vendosja e Standardeve Parashkollorë të Cilësisë së Lartë, duke përforcuar Arsimin, Shkencën dhe Ekonominë (Shpresë)”.

Rektori Musaj, falënderoi “Caritasin zviceran” për bashkëpunim.

“E vlerësojmë shumë mbështetjen tuaj dhe jemi të bindur në suksesin e bashkëpunimit në të mirë të përmirësimit të cilësisë në arsim”, tha ai.

Në anën tjetër, drejtoresha e “Caritasit zviceran” më Kosovë, Vera Hang Arbenz, u shpreh e kënaqur me vullnetin e drejtuesve të UMIB-it për bashkëpunim.

“Ne jemi të inkurajuar me gatishmërinë tuaj dhe presim rezultate të prekshme në këtë drejtim”, tha ajo.

Në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar për bashkëpunim, janë specifikuar edhe objektivat kryesore që synohet të arrihen, si kapaciteti i rritur i edukatorëve të ardhshëm të arsimit parafillor në metodologjinë bashkëkohore.

Ndërkohë që planprogramet mësimore të kurrikulës, pritet të rishikohen dhe të pasurohen me aktivitete praktike.