Universiteti “Haxhi Zeka” ndan çmimin ‘Doctor Honoris Causa’ për gjeneralin amerikan

Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë sot ka mbajtur ceremoninë solemne për ndarjen e çmimit Doctor Honoris Causa, për Gjeneral Major Timothy E. Orr.

Në njoftimin e këtij universiteti thuhet se UHZ këtë çmim ia ndau për shkak të ndihmës së dhënë në zhvillimin e marrëdhënieve njerëzore dhe për mbështetje në forcimin e paqes.

Gjithashtu edhe për ndihmesën e çmuar në forcimin e marrëdhënieve historike dhe tradicionale Amerikano-Shqiptare, si dhe për ndihmën e dhënë shtetit të Kosovës në fushën ushtarake dhe diplomatike.

“Për përfshirjen e Kosovës shtet partner në Programin e Partneritetit Shtetëror në mes të Gardës Kombëtare të Iowa-s dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, me moton “E gjithë Kosova me Iowa-n”
Për kontributin e dhënë në binjakëzimin e shtetit të Kosovës dhe Iowa-së, “Sister States‘‘ dhe për hapjen e Konsulatës së Kosovës në Iowa. Për angazhimin që Garda Kombëtare e Shtetit të Iowa-së të ketë rolin kyç në avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtrinë e Kosovës.”, thuhet në njoftim.

Tutje UHZ ka sqaruar se këtë çmim e ka ndarë sot për herë të tretë, që nga themelimi i tij në vitin 2011.