Ujësjellësi në Mitrovicë fillon punimet në rrugën “Gjergj Fishta” pas raportimit të KALLXO.com

KALLXO.com ka raportuar gjatë javës së kaluar se si pasojë e dëmtimit të një gypi të ujësjellësit në rrugën “Gjergj Fishta”, tek ‘Ura e Gjakut’ në Mitrovicë, uji i pijes rrjedhë vazhdimisht në këtë rrugë.

Pas raportimit të KALLXO.com, Ujësjellësi Rajonal në Mitrovicë ka filluar sanimin e gypit në këtë lagje.

Sami Miftari, Drejtor i Ujësjellësit Rajonal në Mitrovicë kishte premtuar se në fillimi të javës do të fillojnë punimet për ndërrimin e gypit në këtë lagje.

“Kemi marrë vendim që të hënën të ndërrohet i gjithë gypi në këtë rrugë”, tha Miftari për KALLXO.com.

Banorët kanë dërguar fotografi në KALLXO.com në të cilat shihet se punimet për ndërrimin e gypit në këtë lagje kanë filluar.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Mitrovicës, Naser Muja kishte thënë për KALLXO.com se kjo rrugë është dëmtuar shumë për shkak të problemit të ujit.

“Rruga është dëmtuar më shumë prej ujësjellësit pasi kanë zhvilluar punime në disa vende për shkak se rrjeti është shumë i vjetër”, kishte thënë Muja.

Ai kishte premtuar  se pas përfundimit të punimeve nga Ujësjellësi Rajonal Mitrovicë, edhe Komuna do të filloj edhe sanimin e gropave në këtë rrugë.