Foto: Kompania Rajonale e Ujësjellësit "Prishtina"

Pas 9 orësh punë, sanohet dëmtimi që la pa ujë tri lagje të Prishtinës

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka njoftuar se pas 9 orësh punë, është arritur të sanohet problemi me një gyp të ujit në rrugën “Tirana” në Prishtinë.

Ky defekt mbrëmë ka lënë pa ujë tri lagje të Prishtinës.

Zëdhënësja e KRU “Prishtina” Arjeta Mjeku, ka thënë për KALLXO.com se ekipet kanë punuar tërë natën për të sanuar dëmtimin.

“Kanë punuar tërë natën nga ora 20.00 deri në ora 05.00 sot në mëngjes. Ka qenë sanim shumë i vështirë, por ia dolën, vetëm që ta rikthejnë furnizimin me ujë te konsumatorët e 3 lagjeve”, tha Mjeku.

Pa furnizim me ujë mbrëmë kanë mbetur pjesë e lagjes Arbëria deri te komuna e re e Prishtinës, lagjja Lakrishtë dhe një pjesë e lagjes Dardania në Prishtinë.

KALLXO.com ka raportuar mbrëmë për këtë dëmtim.

Gjendja pas sanimit të gypit, Foto: KRU Prishtina

Dëmtim i madh i gypit, këto lagje të Prishtinës mbesin pa ujë