Udhëtimi me tren nuk është ‘tren-ding’

Vazhdon të bie interesimi i qytetarëve që të përdorin transportin hekurudhor për të udhëtuar. Në vitin e kaluar u shënuan numrat më të ulët të pasagjerëve që udhëtuan me tren në 7 vjetët e fundit. Sinjale jopozitive po japin edhe tre muajt e parë të këtij viti.

Sipas ASK-së, numri i pasagjerëve u pakësua rreth 65 për qind. Në anën tjetër investimet në infrastrukturën hekurudhore moderne sipas qeveritarëve pritet të ndodhin brenda 4 vjetëve dhe mbetet të shihet sesa do të ndikojnë në rritjen e numrit të pasagjerëve.

Qeveritarët bëjnë të ditur se deri në vitin 2022 Kosova pritet të bëhet me rrjet modern të hekurudhave për t’u lidhur me vendet tjera të rajonit. Në anën tjetër, të dhënat e fundit të ASK-së flasin për një rënie të interesimit të qytetarëve të shfrytëzimit të këtij lloji të transportit.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Transportit dhe Telekomunikimit “ për periudhën tremujore TM1 2018,  me të dhëna mbi transportin ajror, hekurudhor, rrugor dhe telekomunikimin.

raportin e ASK-së thuhet se në 333 kilometra binarë hekurudhorë sa ka Kosova qarkullojnë 9 lokomotiva.

“Në territorin e Kosovës, kemi gjithsej 333 km binarë hekurudhorë për transport. Në hekurudhat e Kosovës qarkullojnë gjithsej 9 lokomotiva, prej tyre shtatë diesel dhe dy trena motorikë. Lokomotivat bartin dhjetë vagonë për udhëtarë dhe 1 420 vagonë për mallra”, thuhet në raport.

Sipas ASK-së, në tremujorin e parë të vitit 2018, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi ishte 17 mijë, ku krahasuar me tremujorin e kaluar, numri i udhëtarëve ishte zvogëluar për 65 për qind.

Transporti i mallrave me tren në tre muajt e parë të këtij viti, sipas ASK-së ishte 76 mijë tonë, ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka rritje për 36 për qind.

Gazeta Jeta në Kosove dhe KALLXO.com ka shkuar tutje duke analizuar të dhënat e shfrytëzimit të këtij lloji të transporti edhe në vitet e kaluara.

Numri i pasagjerëve nga viti 2011 deri në 2014 pësoi luhatje në mes të 357 mijë dhe 339 mijë, duke shënuar kështu shifra më të ulëta në vitet pasuese.

Në vitin e kaluar numri i pasagjerëve që përdorën trenin për transport ishte 156 mijë, që në krahasim me vitin 2016 rezulton me një rënie prej 44 për qind, apo rreth 123 mijë pasagjerë.

Numri prej 156 mijë pasagjerëve që përdorën trenin për të udhëtuar shënon numrin më të ulët që nga viti 2011 e këndej.

Nga viti 2011 deri në vitin 2017 bazuar në të dhënat e ASK-së, numri më i madh i pasagjerëve është shënuar në vitin 2013, kur regjistron 369 mijë pasagjerë.

Sipas të dhënave të grumbulluara rezulton se për periudhën 7 vjeçare mesatarisht trenin e shfrytëzuan 305 mijë udhëtarë çdo vit. Nëse kjo kthehet në ditë të vitit, i bie që për çdo ditë të vitit mesatarisht 834 pasagjerë shfrytëzuar trenin për të udhëtuar.

Aksidente edhe me tren

Në muajin shkurt të vitit të kaluar kishte ndodhur një aksident në mes të trenit dhe një automjet me ç‘rast kishte humbur jetën shoferi i automjetit.  Një muaj më vonë kishin ndodhur edhe dy raste të tjera, ku në njërin prej tyre treni kishte goditur një qytetar dhe në tjetrin automjetin me udhëtarë. Raste të aksidenteve me tren ka pasur edhe në vitet 2012 dhe 2014, duke shënuar edhe viktima.

Në aktivitetin për trashëgiminë kulturore në 2014-ën,  presidentja e atëhershme e Kosovës Atifete Jahjaga së bashku me të dërguarin special të asaj kohe të BE-së Samuel Zhbogar dhe me ish- ambasadorin britanik Ian Cliff shfrytëzuan transportin hekurudhor për të vizituar objekete kulturore.

Përkundër se zyrtarët publikë trenin e shfrytëzuan për data të caktuara dhe fushata zgjedhore vazhdojnë të shpenzojnë mijëra euro për të blerë vetura luksoze. Madje shpenzojnë edhe shuma të mëdha të parasë publike për marrjen e veturave me qira.

Auditori për TrainKosin

Ndërmarrja publike “TrainKos” Sh.A aktivitetin e saj e filloi si pasardhëse e Hekurudhave të Kosovës në vitin 2011.  Ndërmarrja “TrainKos” si ndërmarrje publike tashmë do të merrej me operimin e trenave sipas një vendimit të qeverisë e cila ndau pjesën e infrastrukturës hekurudhore me operimin e trenave.

Vitin e kaluar, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të pasqyrave financiare të ndërmarrjes publike “TrainKos” Sh.A dhe në bazë të gjetjeve të këtij raporti konstatoi se pasqyrat financiare të kësaj ndërmarrjeje nuk ishin të sakta dhe të vërteta.

Gjithmonë sipas raportit të auditorit, kjo ndërmarrje publike nuk kishte bërë të qartë shumën prej 340 mijë eurove mbetur si pasivë jashtë bilancit. Gjithashtu kompania, sipas auditorit, kishte nënvlerësuar borxhet, pasuritë, duke mos implementuar rekomandimet e auditorit.

Gjithashtu auditori gjeti se kjo ndërmarrje publike kishte punësuar 15 punëtorë pa konkurs publik.

Në vitin 2015 Gazeta Jeta në Kosovë tregoi se në krye të kësaj ndërmarrjeje u vendosën njerëz të afërt me politikën.