Foto-ilustrim

Tri Aksidente me 4 të Lënduar në Mitrovicë

Tri aksidente trafiku janë regjistruar në Mitrovicë gjatë ditës së djeshme.

Sipas Policisë, një aksident ka ndodhur në rr. “Mbretëresha Teutë” rreth orës 15:00. Në këtë rast, një shofer ka goditur me veturë një këmbësore, duke i shkaktuar lëndime trupore.

“Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.

Ndërsa në rr. “Dëshmorët e Kombit” rreth orës 18:10, një shofer nga pakujdesia ka goditur biçiklistin, duke i shkaktuar lëndime trupore.

“Viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKUK-Prishtinë, ndërsa i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e përditshëm të Policisë.

Ndërsa, në rr. “Adriatiku” rreth orës 19:00 ka ndodhur aksident trafiku në mes të dy veturave civile.

Sipas Policisë, deri tek aksidenti ka ardhur kur i dyshuari mashkull duke lëvizur me veturën BMW, nga pakujdesia është aksidentuar me veturën VW që drejtohej nga viktima mashkull.

Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar viktima dhe një pasagjer mashkull dhe të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor në spitalin e Mitrovicës.