Siguria në rrugë

Përgjakja e rrugëve i atribuohet shoferave mirëpo sipas të dhënave, jo gjitmonë viktimat ishin fajtorë të aksidenteve.

Nga paslufta e deri sot janë qindra viktima, këmbësorë, shoferë e pasagjerë të cilët vdiqën në aksidente, e tragjeditë e tyre nuk e kanë ngrit alarmin për shtim të sigurisë në rrugë.

Në emisionin #KallxoPernime është diskutuar rreth aksidentit që së fundmi në magjistralen Ferizaj Shtime, ku si pasojë mbetën të vdekur 4 persona, e para dy viteve në po të njëjtën rrugë kanë humbur jetën 5 anëtarë të ngushtë të një familje.

Fatos Ajvazi, prokuror, ka thënë se në atë rrugë mungojnë sinjalizimet horizontale, pra vijat e bardha, por jo vetëm në këtë rrugë por në gjitha rrugët e tjera.

Ai ka shtuar se këto vija nuk janë në standardin e duhur, por nuk e ka konfirmuar se a kanë nisur hetimet lidhur me këtë.

“Njëherë për njëherë nuk mund ta konfirmojë një gjë të tillë. Ky problem nuk është vetëm në Ferizaj, por në gjithë Kosovën. Po besoj që do të ketë një iniciativë të tillë, por fillimisht duhet të vlerësohet se a ka ardh aksidenti nga mungesa e vijave të bardha”, ka thënë Ajvazi.

Ai më tutje tha se Policia ka siguruar prova ku mund të arrihet në një përfundim se si ka ardhur deri tek aksidenti, por që ende ky rast është në fazën e grumbullimit të informatave dhe provave.

Ndryshe në aksidentin e 22 shkurtit ku mbetën të vdekur 4 persona e pas disa ditësh vdiq edhe personi i pestë, aty ishin përfshirë tri vetura me targa vendore.

Një aksident i ngjashëm ndodhi edhe para dy vjetëve ku mbet e vdekur një familje 5 anëtarëshe.

Gjykata e Ferizajt në maj të vitit 2022 kishte dënuar E. M. me 8 vjet burg, pasi që i njëjti kishte shkaktuar aksidentin.

 

Ferizaj, ky është dënimi për të akuzuarin që shkaktoi aksidentin në të cilin u shua familja 5-anëtarëshe

 

 

3 vjet nuk u investua në sinjalistikë të rrugëve

Nezir Gashi, drejtor i Departamentit për Siguri në Ministrinë e Infrastrukturës, në emisionin #KallxoPernime ka thënë se që nga viti 2017 deri më 2022 nuk ka pasur investime në sinjalistikë të rrugëve.

Sipas tij vitin e kaluar është bërë diçka lidhur me këtë por që nuk ka mjaftuar.

“Sinjalizimi horizontal dhe vertikal është bërë sipas departamenti për sigurinë e rrugëve, është ndarë një pjesë e buxhetit, pra janë bërë këto vijat e bardha por që kanë qenë të kualitetit të dobët dhe janë shlyer pothuajse menjëherë”, ka thënë Gashi

Sipas tij janë ndarë 9 milionë euro për 3 vitet e ardhshme për menaxhimin e rrugëve, sinjalizimin e tyre.

“5.5 milionë euro janë ndarë për autostradën Ibrahim Rugova, ndërsa për sinjalistikën horizontale, tani e tutje materiali që do të përdoret do të jetë termoplastikë, që do të thotë se e kanë qëndrueshmërinë deri në 3 vjet”, ka thënë Gashi.

Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj në emisionin #KallxoPernime ka thënë se 40% të sinjalizimit mungon nëpër rrugëve regjionale, magjistrale e në autostrada në Kosovë.

E kjo sipas tij mungon për shkak të procedurave në Ministrinë e Infrastrukturës.

Dedaj ka thënë gjithashtu se vijat e bardha në rrugë i bëjnë me ‘qireq’.

“Kemi llojet e materialeve që bëhen në tender del materiali i sinjalizimit, ai material duhet të kaloj atestin edhe që mundet t`i bëjë ballë edhe kushteve atmosferike”, ka thënë Dedaj.

Ai shton se roli i sigurisë sa i përket sinjalizimeve horizontale dhe vertikale është jashtëzakonisht i rëndësishëm për pranimin e informacionit të drejtuesve të mjeteve për marrjen e veprimeve, tejkalimeve, etj.

“Në rast se s`ka sinjalizim gjatësor, atëherë ne e dimë që s’ka dukshmëri”, ka shtuar Dedaj.

Cilët janë faktorët që po ndikojnë në shkaktimin e aksidenteve në Kosovë?

Jeton Rexhepi, drejtor i Divizionit të komunikacionit rrugorë në Policinë e Kosovës ka thënë se 80% e rasteve të aksidenteve është faktori njeri, por është edhe faktori rrugë edhe automjet.

“Tek faktori njeri kemi shkaktarët siç janë vet shoferi apo pjesëmarrësit e tjerë në trafik, pasagjeri, ndodh edhe këmbësori”, ka thënë Rexhepi.

Ai ka shtuar se si polici kanë hetuar edhe operatorin mirëmbajtës të rrugëve por edhe ndaj përgjegjësve të institucioneve që nuk ndërmarrin veprime.

“Në momentin që ne shohim që nuk janë ndërmarr veprimet që nuk janë të parapara me ligj, për operatorin ekonomiko dhe mbikëqyrësin e tij është kompetencë e policisë të ndërmarr hapa”, ka thënë Rexhepi.

Rexhepi ka thënë gjithashtu se ka pasur raste që janë marr në pyetje inxhinierët dhe drejtorët e departamenteve që janë përgjegjës për rrugë, si të dyshuar për mos vendosje të sinjalizimit, ku ka ndodh aksidenti.

“Çdo herë ne marrim masa ndaj operatorëve por edhe ndaj përgjegjësve institucional për mosndërmarrjen e veprimeve sipas kontratës që e kanë”, ka thënë Rexhepi.

Rexhepi ka folur edhe për rrethin e Qagllavicës, ku para dy muajsh një person ka vdekur, i cili kishte qenë me targa të huaja.

“Policia në planin e saj për këtë vit ka për detyrë t`i inspektoj rrethrrotullimet në nivel të rrugëve nacionale dhe ato lokale. Problemet e tjera që i ka identifiku policia janë, njoftimi, ndriçimi, sinjalizimi, ndriçimi i përhershëm pengesave, etj. kemi bërë raport që i kemi dërguar Ministrisë së Infrastrukturës”, ka shtuar ai.

Ky raport u është dërguar edhe të gjitha komunave.

Ndryshe një person ka vdekur si pasojë e një aksidenti trafiku që kishte ndodhur në fillim të janarit në Çagllavicë, të Prishtinës. Viktima është një burrë 35 vjeç.

 

Aksident me fatalitet në Çagllavicë, vdes 35-vjeçari

 

‘Rreth rrotullimet e vendosura në rrugë të drejta, shkaktarë të shpeshtë të aksidenteve’

Një problem tjetër që është diskutuar në emisionin #KallxoPernime, e që ka të bëjë me sigurinë në rrugë janë edhe rrethrrotullimet.

Në debat u tha se shumica e këtyre rrethrrotullimeve në Kosovë janë ndërtuar pas ndërtimit të rrugëve.

Jeton Rexhepi, drejtor i Divizioni të komunikacionit rrugor në PK, ka thënë se policia ka identifikuar mangësitë që ka një rrethrrotullim.

“Duke filluar nga njoftimi ndriçimi, sinjalizimi horizontal e vertikal, ndriçimi i përhershëm, largimi i disa pengesave, kemi bërë raport, i cili i ka shku ministrisë së Infrastrukturës për të gjitha rrugët e të gjitha komunave ju ka shku për rrugë lokale”, ka thënë Rexhepi.

Inspektim tjetër që ka bërë Policia është edhe për nënkalimet, mbikalimet dhe vendkalimet e pashënjezuara.

“I njëjti raport me rekomandime me kërkesë i ka shku të gjitha institucioneve, komunave dhe ministrisë. Policia bënë raport inspektues për institucionin që duhet të ndërmarr veprime konkrete dhe kemi raste konkrete që disa komuna kanë filluar të punojnë, sidomos komunat e mëdha”, ka thënë më tej Rexhepi.

Rexhepi, ka thënë se problemi te rrethrrotullimet është se shumica janë në rrugë të drejta ose pasi janë ndërtuar këto rrugë.

“Në rrugë të drejt nuk ka kënd të hyrjes në rreth, e as në dalje të rrethrrotullimit, dmth gjithë e kanë një rreth me një rrugë të drejt e cila shpesh mund të jetë edhe vdekjeprurëse”, ka thënë Rexhepi.

Eksperti i komunikacionit Nol Dedaj ka thënë se tek rrethi i Çagllavicës janë dy pika të zeza.

“Një rrugë me dy shirita është 60 në orë pastaj vjen 80 e pastaj 40. Këtu nuk është bërë llogaritja e mirë e shpejtësisë së kufizuar krahasuar kategorinë e rrugës”, ka thënë Dedaj.

Ai ka thënë se aty mund të shohim ripërsëritje të aksidenteve në të njëjtin model.

“Unë e kam identifiku atë problem me studentë por nuk merr kush vesh. Ky raport që e kemi bërë me studentë e kemi dërgu në fakultet edhe aty ka përfunduar gjithçka, nuk e kemi dërguar askund sepse s`na e ka kërkuar askush”, ka thënë Dedaj.

 

‘Funksionalizimi i institucioneve, zgjidh problemin e aksidenteve’

Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, në #KallxoPernime ka dhënë rekomandime për zgjidhjen e problemit me aksidentet.

Ai ka thënë se Instituti për hulumtime të aksidenteve duhet t`i dërgojë rekomandimet në Agjencionin për siguri rrugore dhe këta të fundit sipas Dedajt, duhet pastaj t`i marr masat.

“Në bazë të rekomandimeve të ekspertëve Agjensioni masanej i merr masat e jo me na vdek neve njerëzit në pikë të zeza që 23 vjet që unë e di vendet ku janë”, ka thënë Dedaj.

Ai ka shtuar se edhe për që 10 vjet ka studiuar edhe për ‘akullin e zi’, që sipas ekspertëve kjo paraqitet nga fillimi i dimrit deri në stinën e pranverës, pra janë kushtet atmosferike që e krijojnë ose mjegulla e dendur.

Ndryshe sipas ekspertëve termi ‘akulli i zi’ i referohet një shtrese që formohet në rrugë nga fillimi i dimrit deri në pranverë, pra janë kushtet atmosferike që e krijojnë ose mjegulla e dendur.

“Për akullin e zi që 10 vjet jam duke kryer 2-3 analiza, neve na vdesin njerëzit edhe hala vazhdojnë te ‘akulli i zi’, ai paraqitet më së shpeshti në Sllatinë që ka përfundu me fatalitet, i dyti është në Milloshevë po ashtu ka përfundu me fatalitet”, ka thënë Dedaj.

Sipas statistikave të policisë në vitin 2011, si pasojë e aksidenteve kanë vdekur 157 persona, ndërsa në vitin 2022 janë 106.

 

Mbi 35 mijë shoferëve i është konfiskuar patentë shoferi në Kosovë

Jeton Rexhepi, drejtor i Divizionit të komunikacionit rrugorë në Policinë e Kosovës ka thënë se janë 35 mijë e 191 shoferë që kanë ndalesë drejtimi të mjetit, prej 3 muaj deri në dy vjet.

“Aq e sheh ligji për kundërvajtje që i bie 7 mijë shoferë në vit. Janë 90 mijë shoferë që kanë marr pikë negative që me grumbullimin e tyre do të jenë edhe masa tjera ndëshkuese”, ka thënë Rexhepi.

Sipas Rexhepit, Komisioni Evropian ka publikuar statistikat për shtetet anëtare të BE-së dhe për Ballkanin Perëndimor, ku Kosova është njëra ndër shtetet me më së paku vdekje në trafikun rrugor në 1 milion banorë.

Ai ka folur edhe për rastin e kapitenit të policisë i cili ishte zënë nga IPK-ja duke vozitur i dehur.

“Nuk është rasti as i pari as i fundit, ky. Policia ka mekanizma edhe mbikëqyrës. Në këtë rast është një kundërvajtje, aspekt fillestar, në bazë të shkeljes i jepet rekomandimi për personin në fjalë”, ka thënë Rexhepi.

Ndryshe një zyrtar policor me gradën kapiten është suspenduar nga detyra nën dyshimin se ka kryer veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

I njëjti sipas një njoftimi të Inspektoratit Policor të Kosovës, në ndikim të alkoolit, jashtë detyrës zyrtare ishte duke vozitur veturën e tij në mënyrë të rrezikshme.

Fillimisht sipas njoftimit të IPK-së, policia ishte njoftuar nga qytetarët se mbrëmë kishin vërejtur një vozitje të rrezikshme në Gjilan e që u ishte rrezikuar jeta dy qytetarëve.

Nën ndikimin e alkoolit, kapiteni i policisë suspendohet pasi voziti veturën në mënyrë të rrezikshme në Gjilan

 

Komuna e Prishtinës do të vendos kamera për matje të shpejtësisë në komunikacion

Ilirik Musliu – Drejtor i Shërbimeve publike në komunën e Prishtinës në #KallxoPernime ka thënë se Prishtinën e kanë gjetur në gjendje të tmerrshme sa përket sinjalistikës dhe sinjalizimit.

Musliu ka shtuar se Komuna e Prishtinës nuk ka pasur kontratë për sinjalizim 3 vjet e gjysmë.

“Me fillim ne e kemi ndërtuar një taskforcë dhe na ka ndihmuar shumë bashkëpunimi me policinë e Kosovës. Kemi pasur edhe ekspert për sa i përket planit të mobilitetit, andaj me këto mendoj që kemi mbërri me bo diferencën në kryeqytet”, ka thënë Musliu.

Musliu ka treguar edhe për dy projekte të tyre si komunë, vendosjen e kamerave të cilat do ta bëjnë matjen e shkeljeve në trafik dhe projekti tjetër që ka të bëjë po ashtu me vendosjen e kamerave për matjen e shpejtësisë.

Musliu gjithashtu ka treguar edhe vendet ku do të vendosen këto kamera, bazuar në aksidentet në të kaluarën. Por projekt i tillë në nivel qendror ende nuk ka.

Çdo vikend policia bën alkool testin për shoferët

Në emisionin #KallxoPernime është diskutuar edhe për shoferët të cilët vozisin në gjendje të dehur.

“5-6 tiketa i ka shqiptuar Policia e Kosovës, 10 ditët e fundit për shoferët të cilët kanë vozitur në gjendje të dehur”, ka thënë Jeton Rexhepi, drejtor i divizioni të komunikacionit rrugorë në Policinë e Kosovës.

Ai ka shtuar se nuk ka informacione që policia bënë sigurim në ndonjë lokal të natës.

“Unë nuk e kam at informacion që policia ka ndonjë marrëveshje me ta, nëse polic të caktuar e bëjnë një gjë të tillë ju tregova se çfarë janë procedurat, nëse dikush ka informacione të tilla ju lutem që të vijnë tek ne”, ka thënë Rexhepi.

Në emisionin #KallxoPernime është diskutuar rreth sigurisë në rrugë me të ftuarit Nezir Gashi Drejtor i Departamentit në Ministrinë e Infrastrukturës, Jeton Rexhepi, Nënkolonel – drejtor i divizionit të komunikacionit rrugorë në Policinë e Kosovës, Nol Dedaj ekspert i komunikacionit, Fatos Ajvazi – Prokuror dhe Ilirik Musliu – Drejtor i Shërbimeve publike në komunën e Prishtinës.