Waze, aplikacioni i navigimit që mund ta zvogëlojë numrin e aksidenteve dhe vdekjeve në trafik

Miliona ngasës automjetesh në mbarë botën e përdorin aplikacionin e navigimit Waze, i cili, përveç vetë navigimit, ofron shumë informacione të tjera të dobishme për drejtuesit. Një nga opsionet e reja që vjen në atë aplikacion mund të ndihmojë në uljen e numrit të aksidenteve të trafikut dhe shpëtimin e jetëve njerëzore.

Përkatësisht, për përdoruesit që janë pjesë e programit të tyre beta, Waze ka filluar testimin e një opsioni që duhet t’i paralajmërojë ngasësit e mjeteve për pjesë të rrezikshme të rrugës, të cilave duhet t’u kushtojnë vëmendje dhe përqendrim shtesë gjatë vozitjes. Bëhet fjalë për rrugë ku aksidente të shumta trafiku janë regjistruar në histori dhe ky informacion është mbledhur ndër vite falë përdoruesve të këtij aplikacioni.

Përveç paralajmërimit të ngasësve të Waze për këto pjesë të rrugës, aplikacioni do t’u tregojë atyre sa kohë kanë qenë në atë pjesë të rrezikshme të rrugës, në mënyrë që ta ruajnë përqendrimin e tyre në maksimum dhe të jenë tepër të kujdesshëm pas timonit.

Edhe pse, sigurisht, ngasësit duhet të përqendrohen në drejtimin e automjetit gjatë gjithë kohës, është e vështirë ta ruash përqendrimin maksimal gjatë ngasjes rutinë të përditshme, domethënë gjatë një udhëtimi pak më të gjatë. Njerëzit flasin me njëri-tjetrin, ndonjëherë mendimet e tyre shkojnë gjetkë, e shikojnë telefonine tyre kur marrin një njoftim dhe të ngjashme, dhe në vende që janë më kërkuese për të vozitur për arsye të caktuara, kjo mund të jetë katastrofike.

Kjo është pikërisht arsyeja pse kur pranojnë një mesazh nga Waze se janë në një pjesë problematike të rrugës, ka të ngjarë të tremben dhe t’i kushtojnë më shumë vëmendje situatës së trafikut. Për ata që mendojnë se njoftime të tilla ende mund t’i shqetësojnë, ekziston gjithmonë opsioni për t’i fikur.

Waze aktualisht po e teston këtë opsion dhe nuk dihet se kur do të bëhet i disponueshëm për të gjithë përdoruesit e aplikacionit të tyre të navigimit./Android Central

Përgatiti: Nuhi Shala