Vizita në Minierën e "Trepçës"

‘Trepça’ Shkon në Kuvend, pa u Miratuar në Qeveri

Seanca e rregullt plenare e së enjtes, për shkak të ndeshjes Kosovë-Kroaci është shtyrë për të premten në orën 15:00.

Po ashtu edhe pse projektligji për Trepçën nuk i ka ardhur ende kuvendit, ai është futur në rend dite për këtë seancë.

Gjithashtu të parapara në rend dite kanë qenë edhe dy vendimet e qeverisë për Envidenty dhe Shar Cem janë hequr nga rendi i ditës.

I pyetur nëse i kanë votat e Listës Serbe për projektligjin për Trepçën, kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha i bindur: “Projektligji për Trepçën do të kalojë të premten.”

Ky projektligji nuk është proceduar ende nga qeveria në kuvend, por sipas Veselit me qeverinë kanë “marrëveshje mirëkuptimi” dhe e dinë që kjo do të ndodhë gjatë kësaj jave.

Shefi i GP të LDK-së, Ismet Beqiri tha se me ose pa procedurë të përshpejtuar ky projektligj duhet të kalojë dhe se beson që asnjë deputet i asnjë partie nuk do ta kundërshtojë, përfshirë këtu edhe deputetët e Listës Serbe.

Ndërsa sa i përket kërkesës së kompanive Envidenty e Sharr Cem, Beqiri tha se javën e kaluar grupi i tij ka kërkuar të shtyhen për një seancë tjetër, por nuk e kanë caktuar për cilën, ngase u duhen ende informata shtesë deputetëve.

http://kallxo.com/qeveria-ne-gare-kohen-per-ta-shpetuar-trepcen/

Për të tretën herë kryesia e kuvendit të Kosovës futi në rend dite projektligjin për investime strategjike, të cilin do ta çojë në seancën plenare të radhës.

Beqiri tha se shpreson që edhe ky projektligj do të kalojë.

Projektligji për investime strategjike, i cili javën me kërkesën e shefit te GP të LDK-së u hoq nga rendi i ditës, rikthehet në tentativën e tretë te deputetët.

Ky projektligj korrikun e këtij viti, megjithëse u votua dy herë, nuk kaloi.

Ndërsa shefi i GP të AAK-së, Pal Lekaj tha se qeveria ose nuk është e koordinuar ose po bënë shaka me deputetët.

“Ka procedu sene që më vonë është detyruar ti tërheq, a so hajgare kjo?”, duke nënkuptuar këtu edhe pikat e hequra nga rendi i ditës për Envidenty e SharCem.

E sa i përket Trepçes, Lekaj tha se kur ta kenë projekligjin e ta shohin riorganizimin për këtë aset, do të vendosin për votën e tyre.

Këtë seancë pritet të votohen edhe dy projekt rezoluta, ajo për kodin telefonik shtetëror dhe tjetra për situatën aktuale politike në veri të vendit, të cilat në mungesë kuorumi dështuan të votoheshin javën që shkoi.

Po ashtu në këtë seancë pritet të votohet edhe për emërimin e një anëtari në Komisionin për Kërkesa Pronësore dhe zgjedhja e një anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Gjithashtu është paraparë të bëhet shqyrtimi i parë i projektligjit për akreditim, si dhe shqyrtimi i dytë i projektligjit për të drejtat e autorit.

Në fund pritet të shqyrtohen edhe dy raporte: ai mbi gjendjen në shërbimin civil në Kosovë dhe tjetri i agjencisë së statistikave për vitin 2015.

Seanca e radhës plenare u caktua të mbahet më 7 tetor në orën 15:00.