Trajneri i Kombëtares së Kosovës nuk e publikon ekipin startues ndaj Maltës

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes në konferencën për shtyp nuk e ka prezantuar ekipin startues për ndeshjen e nesërme me Maltën, e vlefshme për Ligën e Kombeve.

“Natyrisht që unë nuk do ta jap sonte 11-shën startuese, do të pres edhe nesër. Nesër në mëngjes do ta jap ekipin startues. Për krahun e djathtë dhe për sulm kam opsione, tashmë e kam edhe Valon Berishën për mesfushë. Është problem i mirë kur ke shumë opsione”, ka deklaruar trajneri Challandes. 

Trajneri i Kombëtares kosovare ka thënë që dëshiron që ekipi i tij të luajë mençur kundër Maltës.

“Unë e kam studiuar lojën e Maltës kundër Azerbajxhanit. Ekipi më i mirë ka qenë Malta. Ata e kanë një ekip kompakt në mbrojtje. Janë të rrezikshëm në kundërsulme dhe në krosime. Këto janë aspektet që ne duhet t’i kemi parasysh. Unë dua nga ekipi qe të luajmë një lojë të mençur. Nuk dëshiroj vetëm sulm, por komponim”, ka potencuar Challandes.

Ai ka deklaruar se gjithmonë ka respekt për ekipet kundërshtare por nuk ka frikë nga to. Challendes deklaroi se ka besim të plotë në kombëtaren e Kosovës.

“Ne si trajnerë gjithmonë themi për ekipin kundërshtar se ata janë favorit. Kam respekt por nuk kam frikë nga ekipet e tjera. Filozofia ime e futbollit është që të japim performancën më të mirë. Kam besim të plotë te gjithë skuadra ime”, ka thënë trajneri Challandes.

Në dy ndeshjet e para Kosova ka grumbulluar 4 pikë dhe është në krye të tabelës. Kosova ka arritur të marrë një barazim 0 me 0 ndaj Azarbajxhanit si mysafire dhe ka arritur t’i mposhtë Ishujt Faroe me rezultat 2 me 0 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.