Theret pas Shpine një Person në Pejë

Policia Rajonale e Pejës njofton me anë të një komunikate se pjesëtarë të saj e takuan të plagosurin afër stacionit të autobusëve në orën 12 e 30.

Sipas komunikatës, i plagosuri me inicialet A. A. që ishte i gjakosur në shpinë, u dërgua pastaj menjëherë në spital me një veturë private.

Pas marrjes së trajtimit mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës i plagosuri i tregoi policisë se si i ndodhi plagosja.

I plagosuri sipas komunikatës tha se plagën ia shkaktoi i dyshuari me inicialet A. B. duke e therur me një mjet të fortë të mprehtë në pjesën e pasme të kraharorit në anën e majtë.

Policia njofton se të plagosurit i janë shkaktuar lëndime të rënda trupore, por ai është jashtë rrezikut për jetë.

Të dyshuar për këtë therje janë edhe B. B. dhe A. Th. Ata janë arrestuar nga policia, ndërsa prokurori ua ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh.