Thaçi: Vrasësit e vëllezërve Bytyçi janë në institucionet më të larta të Serbisë

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se vrasësit e vëllezërve Bytyçi janë në institucionet më të larta të Serbisë.

Ai këto deklarata i ka bërë gjatë takimit me Ilir Bytyçin, vëllain e tre vëllezërve të vrarë.

Thaçi ka thënë se në takime me përfaqësues ndërkombëtarë, gjithmonë ka ngritur çështjen e vrasjes së tre vëllezërve Bytyçi.

“Së fundmi këtë çështje e kemi diskutuar edhe me senatorë dhe kongresistë amerikanë, të cilët kanë bërë një punë të madhë në rritjen e presionit ndaj shtetit serb. Vrasësit e vëllezërve Bytyçi dihen me emër dhe mbiemër dhe janë të pozicionuar në institucionet më të larta të shtetit serb”, ka deklaruar presidenti Thaçi.

Më 9 korrik 1999, Mehmet, Agron dhe Ylli Bytyçi ishin arrestuar pasi ishin zënë duke kaluar ilegalisht kufirin për në Serbi, më pas atje janë ekzekutuar dhe kufomat e tyre ishin gjetur në një varrezë masive në vitin 2001.