Presidenti Hashim Thaçi - Foto: KALLXO.com

Thaçi i shpreh ngushëllime familjes Trena

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas gjetjes së trupit të policit Armend Trena.

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, presidenti tha se fatkeqësia e dy policëve të rënë në lumin Lepenc i ka prekur të gjithë qytetarët e vendit.

“Pas gjetjes së trupit të pajetë të policit Armend Trena, familjes Trena, miqve dhe kolegëve të tij u shpreh ngushëllimet më të thella”, shkroi Thaçi.

Sipas tij, institucionet dhe Policia e Kosovës do ta ruajnë gjithmonë kujtimin për Malsorin dhe Armendin.

Disa ditë më parë pas një aksidenti në magjistralen Kaçanik- Hani i Elezit, policët Malsor Dashi e Armend Trena kanë rënë me makinën e Policisë në lumin Lepenc.

Pas disa ditë kërkimesh nga ekipet e Policisë, FSK-së, KFOR-it dhe Zjarrfikësve, të ndihmuar edhe nga vullnetarët, së pari u gjet trupi i policit Malsor Dashi, e sot edhe i kolegut të tij, Armend Trena.