Presidenti Thaçi pret në takim deputetë kroatë dhe ambasadoren e Kroacisë - Foto: Presidenca e Kosovës

Thaçi Angazhohet për Avancim të Komunitetit Kroat

Në një takim me disa deputetë të Parlamentit të Kroacisë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se do të angazhohet për avancim të përfaqësimit të komunitetit kroat në institucionet e Kosovës.

Presidenti Thaçi ka falënderuar delegacionin e deputetëve kroatë për vizitën si dhe Kroacinë për mbështetjen e dhënë Kosovës në vazhdimësi.

“E çmoj miqësinë historike me Kroacinë. Jemi mirënjohës për përkrahjen që Kroacia i jep Kosovës në çdo forum”, ka theksuar Presidenti.

Bashkë me deputetët kroatë ishte edhe ambasadorja e Kroacisë në Prishtinë, Marija Kapitanoviç, e cila tha se Kosova dhe Kroacia kanë shumë ura që i lidhin, e më e vlefshmja janë komunitetet respektive, ai shqiptar në Kroaci dhe ai kroat në Kosovë.