Tetë Vjet pa Bursa Studentore në Klinë

Nënkryetari i Kuvendit Komunal të Klinës Enver Berisha mosdhënien e bursave e arsyeton me mungesë mjetesh.

Por zyrtarë të LDK-së, partisë që qeverisi Klinën para pushtetit aktual lokal të drejtuar nga PDK-ja thonë se në kohën e tyre ndanë bursa.

“Ne gjatë qeverisjes sonë kemi dhënë bursa  për disa kategori të studentëve. Aty kanë hyrë kategoria e studentëve me kushte të rënda ekonomike, kategoria e studentëve me rezultate të mira në studime si dhe kategoria e studentëve të personave të pagjetur dhe fëmijëve të dëshmorëve,” thotë Arben Limani, shef i grupit të asamblistëve të LDK-së në Klinë.

Mungesën e bursave për të dalluarit që studiojnë, Limani e konsideron neglizhencë të pushtetit lokal të tashëm, ndërsa tregon se këtë çështje e kanë ngritur disa herë në Kuvendin Komunal.

Për të ndërprerja e vazhdimësisë së dhënies së bursave është e pakuptueshme dhe e papranueshme.

Ndërsa Skender Merturi, asamblist i Lëvizjes “Vetëvendosje” ishte edhe më i ashpër kur foli për KALLXO.com nga arratia, pasi po kërkohet me fletarrest nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, si njëri nga të akuzuarit për djegien  e veturave të EULEX-it në vitin 2009.

Ky gjykim po shtyhet vazhdimisht, pasi aty nuk po marrin pjesë aktivistët e akuzuar të “Vetëvendosjes”.

http://kallxo.com/glauk-konjufca-sillet-ne-gjykate/

Merturi tha se ka informata që qeverisja lokale po ndihmon studentët, por vetëm ata të bashkëpartiakëve.

“Janë disa informata që kjo qeverisje i ka dhënë disa mjete, por në mënyrë jopublike, le te themi fshehurazi, të cilën nuk e dimë se si i ka arsyetuar në vijën e rregullt buxhetore. Pra kjo i subvencionon studentët e vet,” tha Merturi.

Nënkryetari i Komunës së Klinës Enver Berisha akuzat e “Vetëvendosjes” për shpërndarje ilegale të mjeteve për fëmijët e pushtetmbajtësve i konsideron të pabaza dhe absurde.

Ai premton se çështja e dhënies së bursave do të zgjidhet.

“Tash së fundmi kemi aprovuar një rregullore për subvencione, rregullore e cila i jep të drejtë Kryetarit të Komunës që edhe këtë temë me trajtuar. Dhe unë besoj që në takim të bordit të drejtorëve brenda këtij viti do ta ngremë si çështje edhe këtë çështjen e bursave të studenteve,” tha Berisha.