Ish-kryeshefi KPM-së, Luan Latifi, shpallet fajtor për ryshfet nga Gjykata e Prishtinës

Ish-kryeshefi i Komisionit të Pavarur të Mediave, Luan Latifi, është gjetur fajtor nga Gjykata e Prishtinës në seancën e së martës, 13.02.2024, për veprën penale të marrjes së ryshfetit.

Ai akuzohet se ka kërkuar dhe marrë ryshfet nga pronarët e kompanisë “Telkos” me qëllim që kësaj kompanie të mos i shqiptohet gjobë për shkak se ajo sipas Prokurorisë kishte bërë shkelje ligjore duke bërë shtrirje të rrjetit në disa vende për të cilat nuk e kishte njoftuar KPM-në.

Për këtë vepër penale i akuzuari Latifi është gjetur fajtor nga Gjykata duke i shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vite dhe dënim me gjobë në shumë prej 5 mijë euro.

Si dënim plotësues Latifit i është shqiptuar ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike në kohëzgjatje prej 3 vite.

Aktgjykimi dënues lidhur me këtë rast u mor nga gjyqtari, Alban Ajvazi – kryetar i trupit gjykues dhe anëtarët Avni Syla dhe Sulltane Hoti.

Lidhur me këtë rast i akuzuar kishte qenë edhe Arben Bilalli për marrje ryshfeti për të cilën e kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me 140 ditë burgim dhe 12 mijë euro dënim me gjobë.

Sipas aktakuzës, së ngritur më 13.09.2021, Latifi në cilësinë e kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media dhe Arben Bilalli, si drejtor i Administratës dhe Financave në KPM, kanë kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “TelKos”.

Dosja e prokurorisë tregon se si ryshfeti ishte pranuar nga ana e të akuzuarve me qëllim që kompanisë “TelKos”, të mos i shqiptohet gjobë për shkak se ajo kishte bërë shkelje ligjore duke bërë shtrirje të rrjetit në disa vende për të cilat nuk e kishte njoftuar KPM-në.

Sipas aktakuzës, Bilalli më 24 qershor 2021, ishte takuar në zyrën e tij me pronarët e kësaj kompanie, Elhami Haziri, Enver Berisha dhe Ymer Kurtolli, të cilëve iu kishte kërkuar 20 mijë euro ryshfet, duke deklaruar se këtë shumë të parave po e kërkonte i akuzuari Latifi.

Ndërsa, pasi i dëmtuari Haziri i kishte thënë që nuk e kishte këtë shumë, të njëjtit kishin arritur të merren vesh që për fillim të japin 10 mijë euro, në atë moment, i akuzuari Bilalli sipas prokurorisë i kishte shkruar të akuzuari Latifi “nuk po lëshon veç 10”, dhe më pas më 29 qershor 2021, i akuzuari Bilalli ishte takuar me të dëmtuarin Haziri.

Sipas prokurorisë, të dy ishin takuar në restorant “Garden”, në Gjilan, dhe pasi i dëmtuari Haziri i kishte dhënë 8 mijë euro, kishte kërkuar nga i akuzuari Bilalli të kontaktojë të akuzuarin Latifi për t`u bindur se ky i fundit e kishte marrë vesh se paratë janë dhënë.

Prokuroria tutje pretendon se duke u zbatuar masat e fshehta dhe nën vëzhgim të policisë, i akuzuari Bilalli në prezencë të të dëmtuarit Haziri i kishte telefonuar të akuzuarit Latifi duke i thënë “kreva punë dhe tash po eci”.

Sipas aktakuzës, Bilalli shumën prej 8 mijë euro e kishte pranuar në një zarf dhe ishte nisur në drejtim të Prishtinës, ku rrugës ishte ndaluar nga policia të cilët ia kishin gjetur shumën prej 8 mijë euro.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK

(Shënim: Lajmit i është shtuar një paragraf me emrat e anëtarëve të trupit gjykues – Koha e editimit: 11:09 – 13.02.2024)