Kurti për demonstratat e 81-shit: Kosova ishte lënë si koloni, revolta kundër diskriminimit ishte gjithëpopullore

Në 43 vjetorin e fillimit të demonstratave të vitit 1981, kryeministri Albin Kurti, ka kujtuar të gjithë të vrarët nga policia, gjatë dhe pas atyre revoltave, në shenjë mirënjohjeje për përpjekjet e atij brezi për lirinë e Kosovës.

Nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social Facebook, ai ka përkujtuar se demonstrata e parë masive u organizua një javë pas revoltës spontane që për kushte të të mira në mensën e studentëve të Prishitnës më 4 mars.

”Sikur revolta e 4 marsit ashtu edhe demonstrata e 11 marsit, u shtypën me dhunë nga policia e Jugosllavisë ku po rritej dominimi i Serbisë”, shkruan Kurti.

Kurti thotë se nga ky regim u “ngjiz një lëvizje e tërë e aktivizmit politik”, dhe përmes kësaj, sipas tij, u artikuluan politikisht pakënaqësitë e shqiptarëve të Kosovës “ndaj parabarazisë në qasje të shtetit federativ të Jugosllavisë”.

“Revoltë gjithëpopullore” i quajti Kurti demonstratat e vitit 1981.

Kjo revoltë ishte “ndaj një periudhe të gjatë ku shqiptarët në Jugosllavi ishin të nënpërfaqësuar, të diskriminuar, të shtypur, të eksploatuar ekonomikisht, të kufizuar në të drejta kulturore dhe politike”, shkruan Kurti.

Kryeministri i Kosovës shkruan se Kosova ishte lënë si zona më e pazhvilluar dhe e prapambetur në Jugosllavi, “porsi një koloni”.

Përveç demonstratës së 11 marsit, ai përmendi edhe ato të 26 marsit, 1 dhe 2 prillit 1981 si dhe aktivitetet e tjera të asaj kohe.

Rreth një e treta e popullsisë së Kosovës u përfshi në procedura ndalimi policor e gjyqësor si pasojë e demonstratave, kurse mbi tre mijë të burgosur kaluan mbi 25 mijë vjet në burgje, kujton kryeministri Kurti.

“Kështu më 1986, Kosova ishte vendi me numrin më të lartë të të burgosurve politikë në Europë. Menjëherë pas demonstratave të nisura si studentore më 1981 e të shndërruara në popullore, Universitetit të Prishtinës iu ndërrua emri dhe u quajt Universiteti i Kosovës në Prishtinë, deri më 1983 kur iu rikthye emri “Universiteti i Prishtinës””, shkruan Kurti.

Kurti kujton edhe se si nga këto demonstrata u nxor edhe parulla “Kosova Republikë”, e cila për vite me radhë shkruhej me shkurtesën “KR”.

Ai kujtoi edhe gjeneratën e aktivistëve politikë që njihej si “Brezi ‘81”.

Kurti në postimin e tij në facebook bashkangjiti edhe një punim të quajtur “Bisha Unitariste” të Hydajet Hysenit, njërit prej organizatorve të demonstratave të 81’tës, tani deputet në Kuvendin e Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në këtë shkrim përmedet edhe se si shumë prej të burgosurve e aktiviteteve të këtyre demonstratave u angazhuan edhe në lëvizjen për çlirimin e Kosovës gjatë viteve 90’ta, “që kulmoi me çlirimin e Kosovës nga Serbia në qershor të vitit 1999”, shkruan Kurti.