Telekomi me kryeshef ekzekutiv, por pa zëvendës të tij

Të premten e javës së kaluar, Telekomi i Kosovës është bërë me drejtor të ri.

Pozitën e të parit të “Telekomit” e mori, Bedri Istrefi, ky i fundit të njëjtin rol e kishte luajtur deri të premten por si Ushtrues Detyre.

Për derisa “Telekomi i Kosovës”, u bë me kryeshef ekzekutiv, zëvendës kryeshefat ende nuk janë zgjedhur.

Kjo për shkak se në dhjetor të vitit të kaluar, ish kandidati për këtë pozitë, atë të zëvendës kryeshefit ekzekutiv, Mejdi Xhokli kishte dërguar ankesë në Inspektoratin e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Ankesa e Xhoklit kishte të bënte me çështje juridike të marrëdhënies së punës për pozitën, Zëvendës Kryeshef Ekzekutiv për të cilën “Telekomi” kishte hapur konkurs në shtator të vitit të kaluar për dy pozita.

Sipas vendimit të pjesshëm të Inspektoratit të Punës të cilin e ka siguruar KALLXO.com, inspektorati ka obliguar Bordin e Drejtorëve të “Telekomit të Kosovës” që në afat prej 8 ditësh të anuloj konkursin dhe të gjitha procedurat e zhvilluara për pozitën e zëvendës kryeshefit ekzekutiv.

Arsyetimi i Inspektoratit në vendimin e pjesshëm për “Telekomin e Kosovës” ishte bazuar në dokumentacion dhe prova sipas tyre të mjaftueshme.

Në arsyetim thuhet se Inspektorati i Punës në Prishtinë më datë 20 dhjetor 2018 përmes Postës së Kosovës ka pranuar një ankesë për inspektim nga ana e Mejdi Xhoklit.

“Inspektori i lëndës lidhur me çështjet juridike ka filluar inspektimin në zyrat e punëdhënësit më 11 janar 2019 dhe më pas ka dorëzuar kërkesën përplotësim dokumentacioni e cila është protokolluar nga ana e punëdhënësit bashkë me ankesën e palës ankuese”, thuhet në arsyetimin e Inspektoratit të Punës.

Pas mbledhjes së provave dhe dëshmive, gjithmonë sipas vendimit të Inspektoratit të Punës, është aprovuar kërkesa e palës së dëmtuar për anulim të konkursit për pozitën e zëvendës kryeshefit ekzekutiv në “Telekomin e Kosovës”.

Kryetarja e Bordit të Drejtorëve në “Telekomin e Kosovës”, Besa Shatri, për KALLXO.com ka thënë se Inspektorati i Punës nuk ka pasur bazë për të kërkuar anulimin e konkursit.

“Nuk ka pasur ndonjë bazë ligjore, është anuluar i gjithë konkursi. Mejdi Xhokli është eliminuar prej kandidaturës për shkak se ka qenë anëtar i Bordit të Postës, kjo me ligj nuk ia ka leju që ai të marr pozitën e zëvendës kryshefit. Inspektorati i Punës e ka konsideruar që duhet me u anulu i gjithë konkursi për shkak që nuk ka pasur vendim të Bordit për pozitën së zëvëndës kryeshefit. Kjo nuk qëndron pasi që ka pasur vendim të Bordit por nuk e kanë kërku ata. Kështu që ata kanë rekomanduar me anulu, ne e kemi pezulluar konkursin deri sa ta shqyrtojnë ankesën që kemi bërë ne, në atë drejtim, procesi është pezull nuk ka lëvizur asgjë”, ka thënë Shatri për KALLXO.com.

Në lidhje me pozitën e anëtarit të Bordit është ngritur çështja edhe në vendimin e Inspektoratit të Punës.

Ata rekomandojnë që punëdhënësi dhe ankuesi në Ndërmarrjen Publike me rast të aplikimit për një vend të lirë të punës apo para nënshkrimit të kontratës së punës të drejtohen në Agjencinë Kundër Korrupsionit lidhur me interpretimin e dispozitës për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin funksionit publik.

“Ankuesi ka qenë drejtor Bordi në “Postën e Kosovës” e cila ka raporte kontraktuale me “Telekomin e Kosovës””, thuhet në vendimin e Inspektoratit të Punës.

https://kallxo.com/zyrtare-zgjedhet-kryeshefi-i-telekomit/

.