Të Shtënat në Festa, Problematike në Ballkanin Perëndimor (Video)

Një fushatë e re në median sociale është lansuar për vendet e Ballkanit Perëndimor e quajtur “Mos e prish festën” – për të rritur ndërgjegjësimin rreth rrezikut të zakonit të të shtënave të festimit përpara ndërrimit të viteve.

Praktika, që u braktis gjatë Luftës së Ftohtë dhe periudhës komuniste, pati një kthim dramatik në vitet ’90.

Fushata po kryhet nga Organizata e Europës Juglindore dhe Lindore për Kontrollin e Armëve të vogla dhe të lehta, SEESAC.

“Të shtënat si formë festimi ndodhin kudo në Ballkanin Perëndimor në përhapje të ndryshme dhe prej një varieteti arsyesh… si dasmat, pas lindjes së një fëmije, festivalet fetare dhe pushimet, Viti i Ri dhe fitoret pas eventeve sportive,” shkroi SEESAC në uebsajtin e tij.

“Çdo vit, në rajon, shumë përfundojnë të plagosur ose të vrarë prej të shtënave të festimit”, paralajmëroi organizata, duke nënvijëzuar rreziqet e kësaj praktike, që thuhet se “ka më shumë lidhje me disponueshmërinë e gjerë të armëve në rajon, sesa me si rezultat i traditës”.

Një studim i kryer nga SEESAC tregoi se praktika mbetet e përhapur në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Në Kosovë, të shtënat e festimeve “janë të përhapura veçanërisht në dasma dhe gjatë festimeve të Vitit të Ri,” sipas organizatës, ashtu si në Shqipëri, ku kjo traditë u rishfaq në vitet 1997 dhe 1998 në lidhje me “rritjen e niveleve të pasigurisë, konflikteve dhe përhapjes së armëve”.

Çdo vit këto të shtëna shkaktonin një numër të madh të plagosurish. Në dhjetor 2014, një 35-vjeçare nga Shkodra u qëllua në kokë nga një plumb qorr teksa ishte në kuzhinë me djalin e saj.

Në gusht 2014, katër persona u plagosën gjatë 24 orëve në një festim familjar në Kosovë.

Vdekjet nga të shtënat e armëve në festa fatkeqësisht raportohen edhe në Maqedoni. Viktima më e fundit, një vajzë 10 vjeçe, u vra gjatë një dasme në mars.

Në Bosnje, të shtënat në festa janë po ashtu të përhapura në zonat e përziera etnikisht si qyteti Mostar, ku armët përdoren për të festuar dasmat dhe fitoret sportive.

Në Serbi dhe Mal të Zi, këto lloj të shtënash raportohen më pak. Megjithatë, rreth 80 për qind e të rinjve në Serbi kanë dëshmuar të shtëna armësh në dasma, sipas kërkimit të organizatës.

Në Mal të Zi, 33 kundravajtje u regjistruar në vitin 2014 lidhur me përdorimin e paligjshëm të armëve të zjarrit apo eksplozivëve dhe shumica ishin në festime private.

Fushata e SEESAC filloi më 20 dhjetor dhe do të zgjasë deri më 20 janar. Ajo do të zhvillohet në rrjetet sociale si Facebook, Google + dhe Instagram, duke mbuluar të gjitha këto vende. Synimi sipas organizatës është të parandalohen viktimat dhe të ruhet siguria në rajon gjatë këtyre pushimeve.