Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dhjetëra të lënduar nga fishekzjarret në Kosovë

Dhjetëra persona janë lënduar nga fishekzjarret në natën e ndërrimit të moteve në Kosovë.

KALLXO.com ka kontaktuar spitalet rajonale për të kuptuar numrin e të lënduarve.

Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini, ka thënë se 8 persona kanë pranuar trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve nga fishekzjarret.

‘’Deri në orën 01:00 pas ndërrimit të motmoteve kemi patur 8 të lënduar me fishekzjarre, prej të cileve njëri ka përfunduar me amputim të një pjese të gishtit tregues të dorës së djathtë. Të gjithë që janë trajtuar janë lëshuar për mjekim shtëpiak’’ – ka thënë Emini për KALLXO.com.

Ndërsa, në Emergjencën e Spitalit në Gjakovë, sipas drejtorit Hilmi Shala janë trajtuar 6 të lënduar nga mjetet piroteknike.

Kurse, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Spitalit të Ferizajt, Selajdin Sallahu, ka thënë se i kanë pasur 4 raste të lëndimeve nga fishekzjarret në natën e parë të Vitit të Ri dhe 5 të tjerë gjatë ditës së djeshme.

‘’Natën e parë kanë qenë veç katër raste të lehta. Pacientët janë lëshuar në shtëpi. Njëri ka qenë me lëndime në fytyrë dhe nëpër trup, është dërguar në Kirurgji Plastike në Prishtinë. Edhe dje kanë qenë 5 raste tjera të lehta. Pacientët janë kthyer në shtëpi’’ – është përgjigjur Sallahu.

Vjollca Bilalli, shefe e Emergjencës në Vushtrri, ka treguar se në natën e ndërrimit të moteve i kanë pranuar 11 pacientë, shumica e tyre fëmijë, të cilët janë lënduar në duar dhe sy si pasojë e djegieve nga fishekzjarret. 

Dy prej tyre i kanë drejtuar në Spitalin e Oftalmologjisë në Prishtinë.

‘’11 ishin më 31 dhjetor dhe të gjithë me lëndime e djegie të duarve, kurse 2 edhe të syve. Të gjithë fëmijë, vetëm një i rritur ka qenë. Më 1 janar, vetëm një lëndim, djegie e shkallës së parë që e ka përfshirë fytyrën, sytë edhe ai është drejtuar në Oftalmologji. Ka qenë 12-vjeçar’’ – ka theksuar Bilalli.

Sipas zëdhënësit të Spitalit të Prizrenit, Shefajet Berisha, ata i kanë trajtuar 5 raste të lëndimeve nga mjetet piroteknike.

‘’Në natën e ndërrimit të moteve, në Emergjencën e Spitalit të Prizrenit kanë qenë 5 raste të lëndimeve me fishekzjarre, po të gjitha kanë qenë lëndime të lehta, pasi është dhënë trajtimi mjekësor të gjithë kanë shku në shtëpi, asnjë nuk është ndalë për trajtimin në spital’’ – ka deklaruar Berisha për KALLXO.com.

Kurse, në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë trajtuar 22 pacientë të lënduar nga mjetet piroteknike, e një i lënduar nga plumbi qorr.

Në anën tjetër, sipas raportit të Policisë, si pasojë e plumbave qorr një person është lënduar në Deçan dhe janë regjistruar tri raste të dëmtimit të veturave në Prishtinë.