Foto Ilustrim
Gjuajtën me armë zjarri më 1 janar, policia identifikon dy persona, konfiskon edhe kallashnikov
Më 1 janar policia kishte pranuar informacione për të shtëna me armë zjarri në disa lokacione të ndryshme në Kosovë.
Dy raste prej tyre janë identifikuar dhe janë trajtuar gjatë ditës së djeshme nga ana e zyrtarëve policorë.
Në bazë të raportit ditor të policisë thuhet se në dy lokacione në Prishtinë janë kryer edhe bastisje nën pretendimet se të dyshuar kishin përdorur armën apo mjet të rrezikshëm.
Kështu është cilësuar vepra për shkak të të shtënave me armë që ishin regjistruar në fshatin Grashticë e në rrugën “Mihajl Grameno” në Prishtinë.
Gjatë ditës së djeshme në orët e mëngjesit policia kishte shkuar në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit, në fshatin Grashticë dhe aty kishte kryer një bastisje.
Kjo pasi që të njëjtit kishin marrë informacion se i dyshuari një burrë kishte shtënë me armë zjarri më 1 janar.
Gjatë kontrollit ishte gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri e llojit pistoletë e kalibrit 7.62 milimetër, me një karikator por pa fishekë.
Në lidhje me rastin i dyshuari është arrestuar ndërsa u informua edhe prokurori kujdestar.
Me vendim të këtij të fundit pas intervistimit të të dyshuarit i njëjti u lirua në procedurë të rregullt.
Në rastin e dytë, policia arriti që të bastisë një shtëpi në rrugën “Mihajl Grameno” në Prishtinë por që i dyshuari nuk u gjet aty.
Edhe për këtë të dytin policia kishte arsyet e njëjta. Në shtëpinë e të dyshuarit u gjet një armë zjarri, më saktësisht një kallashnikov me dy karikatorë e pa fishekë.
E njëjta armë u sekuestruar ndërsa të dyshuarit meqënëse nuk u gjet në shtëpi policia i la ftesën për paraqitje në polici.