Policia në Berlin, Foto: Yahoo news
Berlin: Sërish sulme ndaj policëve gjatë ndërrimit të viteve
Masat e policisë parandaluan incidente të ashpra natën e ndërrimit të viteve në Berlin, ku u arrestuan përkohësisht rreth 390 vetë – shumë syresh për shkelje të Ligjit për armët dhe lëndët eksplozive.
Shqetësimi se nata e Vitit të Ri mund të bëhej sërish e dhunshme ishte i madh, sidomos në kryeqytetin gjerman, në Berlin. Ditën e parë të Vitit të Ri policia e Berlinit njoftoi se koncepti i saj me vendosjen e zonave ku ishin të ndaluara fishekzjarret dhe përcaktimi i zonave që konsiderohen si pika të nxehta kishte funksionuar.
Rritja e ndjeshme e pranisë së policisë në ato zona të qytetit rezultoi edhe në një numër më të lartë arrestimesh. Në krye të detyrës ishin mijëra policë. Sipas shifrave të fundit në Berlin natën e Vitit të Ri u arrestuan përkohësisht rreth 390 vetë – shumë syresh për shkelje të Ligjit për armët dhe lëndët eksplozive.
Natën e Vitit të Ri në Berlin pranë Portës së Brandenburgut pati koncerte ku morën pjesë deri në 65.000 vetë.
Për shkak të frikës prej sulmesh të mundshme terroriste organet e rendit kishin krijuar një koncept kompleks sigurie. Në zonën e festës qytetarët mund të hynin vetëm me biletë, dhe në hyrje kishte kontrolle. Nuk lejoheshin as çantat, as fishekzjarret, as ushqimet, pijet apo gjëra të tjera.
Frikë nga incidentet
Policia e Berlinit priste që në natën e Vitit të Ri të kishte një rrezik të shtuar trazirash për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, sidomos në të ashtuquajturat zona problematike me një popullsi të madhe myslimane, sepse javët e fundit kishin treguar se sa shpejt mund të ndryshojë gjendja, me demonstratat e shumta pro-palestineze në qytetet kryesore gjermane.
Dhunë kundër forcave të sigurisë
Policia e Berlinit, por edhe zjarrfikësit dhe shërbimet mjekësore ishin vënë në alarm. Punonjësit e urgjencës përjetojnë vazhdimisht sulme të dhunshme edhe në ditët normale.
Në një studim mbarëkombëtar nga Shoqata Gjermane e Brigadës së Zjarrfikësve (DFV), rreth gjysma e zjarrfikësve të anketuar deklaruan se ishin fyer, sharë dhe kërcënuar ose kishin përjetuar dhunë të drejtpërdrejtë gjatë detyrës në dy vitet e fundit.
Prani policore masive
Natën e Viti të Ri policia e Berlinit zhvilloi operacionin e saj më të madh për Vitin e Ri në disa dekadat e fundit. 2500 policë shtesë nga Berlini dhe landet e tjera ishin me shërbim në rrugë. Po ashtu në stacionet e trenit dhe në stacionet e tramvajeve dhe metrove ishin në gatishmëri edhe 500 oficerë të policisë federale. 1000 policë të tjerë qenë në detyrë në rajonet e policisë dhe me makina patrullimi./DW