Të enjten marshohet për 'paqe' në Prishtinë

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ( BSPK) në bashkëpunim me organizatat Prokult, Energy Plus dhe disa organizata tjera, kanë bërë thirrje që të bëhet më shumë rreth lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe të drejtën e punës.

Këto organizata kanë organizuar një tryezë me temën ‘’Dialogu bashkëkohor i shekullit XXI’’,  ku ju kanë bërë thirrje gjithë spektrit politik, qytetarëve dhe këngëtarëve që t’i bashkohen në mënyrë që të dërgojnë një mesazh se Kosova është paqësore.

Fatmir Muçolli nga Energy Plus ka treguar se ata kanë krijuar një flamur të bardhë si simbol të kësaj iniciative dhe se do të marshojnë në Prishtinë për të dërguar mesazh për paqe.

‘’Ta qojmë një mesazh për Bashkimin Evropian se ne jemi paqësor, ne mundemi me kontribu për paqe për gjithë popujt. I gjithë projekti është nisur vullnetarisht dhe i bëjmë thirrje këngëtarëve, artistëve që vullnetarisht munden me kontribu. Marshi do të fillon nga punëtorët, studentët, nxënësit dhe nga të gjithë. Me datën 26 secili do ta marrë nga një fletë të bardhë, që do të simbolizojë paqen dhe do të kalojnë nëpër sheshin e Prishtinës’’, deklaroi Muçolli.

Ai gjithashtu bëri thirrje për spektrin politik të Kosovës, ku tha se përkrahin presidentin e vendit, sipas tij, për bashkimin e trojeve shqiptare.

‘’Një përshëndetje i bëjmë spektrit politik, ne jemi në përkrahje të presidentit të vendit për bashkimin e trojeve shqiptare, Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë dhe ftojmë atë të jetë pjesë e këtij manifestimi. Ftojmë gjithashtu edhe kryeministrin e Kosovës, gjithë përfaqësuesit e spektrit politik që kjo datë të shënojë një histori të re’’, përfundoi Muçolli.

Ndërsa Leonora Lokaj nga BSPK- ja ka treguar për qëllimin e këtij projekti dhe duke u bërë thirrje gjithë OJQ-ve dhe shoqërisë civile t’i bashkohen këtij projekti.

‘’Ftojmë të gjithë qytetarët e vullnetit të mirë, të profileve të ndryshme, komunitetet fetare, OJQ-të, shoqëritë civile dhe kushdo që mund të përkrahë këtë kampanjë rreth dialogut bashkëkohor të shekullit XXI’’, deklaroi Lokaj.

Ky manifestim do të fillojë me datën 25 tetor, fillimisht me një kuvend të mbajtur. Pastaj me datën 26, do të mbahet një marsh paqësor në sheshin e Prishtinës, ku do të drejtohen kërkesat dhe do të dërgohen mesazhe për paqe. Ndërsa manifestimi do të mbyllet me datën 28 me një  mbrëmje për bamirësi, në Pallatin e Rinisë.