Marshi për Palestinen. Foto: Jetmir Hoxha/KALLXO.com

Përfundon marshi për Palestinën, kërkohet nga Qeveria e Kosovës të mos rreshtohet me Izraelin

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist bashkë me aktivistë të tjerë të pavarur kanë marshuar në sheshet e Prishtinës për t’u solidarizuar me popullin palestinez.

Pjesëmarrësit kërkuan nga Qeveria e Kosovës që të mos rreshtohet me Izraelin, pasi, sipas tyre, është shtet i cili po kryen gjenocid e po ashtu kanë thënë se okupimi i tyre e ka shndërruar Gazën në një varrezë masive.

“Ky marsh nuk duhet të lexohet si bashkërenditje e jona me Hamasin, ne dënojmë çdo sulm ndaj civilëve. Ne nuk mund të pranojmë që Kosova të rreshtohet me Izraelin,  Kosova 24 vite pas luftës nuk mund të rreshtohet në anën e agresorit” – ka thënë njëri prej pjesëmarrësve në marsh.

Në njoftimin për marshin Kolektivi ka thënë se për më shumë se një muaj Izraeli është duke e mbajtur nën terror popullin palestinez.

Po ashtu Kolektivi ka denoncuar qëndrimet zyrtare të shtetit të Kosovës si pozicione progjenocidale.