Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Të Dënuarve për Prostitucion u Konfiskohet Pasuria Milionëshe

Tre të akuzuarve për mundësim prostitucioni dhe shpëlarje parash, Gjykata e Apelit ua ka vërtetuar dënimet me burgim dhe konfiskimin e pasurisë së fituar paligjshëm.

Lajmin për vërtetimin e dënimeve e bëri të ditur kjo gjykatë me anë të një komunikate.

Në Apel ishin ankuar Prokuroria Speciale dhe avokatët e të akuzuarve, pas dënimeve që Gjykata Themelore në Ferizaj u shqiptoi personave me inicialet A.A., I.R., dhe A.Xh.

“Gjykata e Apelit e Kosovës i ka refuzuar si të pabazuara me 25.10.2016  ankesat e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe avokatëve mbrojtës të akuzuarve A.A., I.R. dhe A. Xh. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj, i datës 10.05.2016 është vërtetuar,” thuhet në komunikatën e Apelit.

Themelorja në Ferizaj kur i dënoi këta tre persona për mundësim prostitucioni, mori vendim që atyre t’ua konfiskojë edhe pasurinë e fituar me anë të kësaj veproje penale.

Gjykata e Apelit vërtetoi edhe këtë konfiskim.

“Në bazë të dispozitave ligjore në fuqi, të akuzuarve po ashtu u është konfiskuar përhershëm pasuria e cila është vërtetuar se është fituar në mënyrë të kundërligjshme, e që kap një vlerë afro 1.5 milion euro,” thuhet në komunikatën e Apelit.

Gjykata Themelore në Ferizaj më 4 prill të këtij viti për mundësim prostitucioni dhe shpëlarje parash në bashkëkryerja dënoi me 6 vjet burg e 50 mijë euro gjobë të akuzuarin me inicialet A.A., ndërsa I.R. dhe A.Xh. u dënuan me nga 3 vjet burg dhe nga 20 mijë euro gjobë.

KALLXO.com shkroi për këtë dënim.

http://kallxo.com/13-vjet-burg-dhe-1-5-milion-euro-konfiskim-per-mundesim-prostitucioni/