Takimi para Kongresit të FIFA-s nis me një minutë heshtje për Fadil Vokrrin

Punimet e Kongresit të FIFA-s do të nisin nesër nga ora 9 e mëngjesit në Rusi, pak ditë para se të nisë Kampionati Botëror në futboll.

Gjatë ditës së sotme, është mbajtur takim paraprak mes presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin dhe anëtarëve të këtij asociacioni.

Ky takim nisi me një minutë heshtje për nderë të ish- Kryetarit të Federatës së Futbollit Fadil Vokrri.

“Ky takim ka nisur me një minutë heshtje në nderim të presidentit Fadil Vokrri, derisa presidenti i UEFA-s e ka kujtuar presidentin e FFK-së me fjalët më të mira, si një njeri të jashtëzakonshëm, futbollist kulminant dhe si punëtor të madh e vizionar për zhvillimin e futbollit kosovar”, thuhet në komunikatën e FFK-së.

Presidenti i UEFA-s, Ceferin, sipas komnikatës ka shprehur shprehu gatishmëri dhe përkrahje maksimale për të vazhduar rrugën e Vokrrit nga bashkëpunëtorët për zhvillimin e futbollit, organizimin e federatës dhe përfundimin e projekteve që UEFA ka bërë për Kosovën.

Në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës, thuhet se Zëvendëspresidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe menaxheri i licencimeve, Bajram Shala, po e përfaqësojnë Kosovën në Kongresin e FIFA-s dhe në ceremoninë e hapjes së Kampionatit Botëror “Rusia 2018”.

Zëvendës Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, dhe Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin. Foto: FFK

“Zëvendëspresidenti FFK-së, Agim Ademi u zotua se bashkë me Komitetin Ekzekutiv, sekretarin gjeneral dhe strukturat e tjera të FFK-së do ta vazhdojnë rrugën e nisur për zhvillimin e futbollit të Kosovës, gjithmonë nën bashkëpunim të ngushtë me UEFA-n”, thuhet më tutje në njoftimin e FFK-së.

Nesër në Kongresin e FIFA-s do të votohet për kandidaturën e Botërorit 2026, ku në garë janë kandidatura e përbashkët SHBA/Meksikë/Kanada dhe kandidatura e Marokut.

Foto: FFK

Kryetari i FFK-së dhe ish- futbollisti, Fadil Vokrri vdiq të shtunën në mëngjes pasi nuk i mbijetoi një sulmi në zemër.

Varrimi i tij u bë të dielën me nderime shtetërore.

https://kallxo.com/misioni-i-permbushur-i-fadil-vokrrit/

https://kallxo.com/ffk-e-tronditur-nga-vdekja-e-fadil-vokrrit/

https://kallxo.com/kosova-ne-zi-pas-vdekjes-se-fadil-vokrrit/

https://kallxo.com/sot-ceremonia-e-varrimit-te-legjendes-se-futbollit/