Thyerja e xhamit | Foto: LVV

Sulmohen Zyrat e Vetëvendosjes në Kamenicë

Xhamat e zyrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Kamenicë janë thyer nga persona të paidentifikuar.

Këtë e kanë bërë të ditur përmes një komunikate për media vet dega e Vetëvendosjes në këtë komunë.

Sipas komunikatës, aktivistët i kanë gjetur sot zyrat me xhama të thyer.

“Persona të paidentifikuar kanë dëmtuar sot në mëngjes zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje! në Dardanë. Aktivistët, i kanë gjetur sot zyrat në një gjendje me xhama të thyer dhe dysheme të mbushur plot gurë. Një akt i tillë, nuk po ndodhë për herë të parë karshi Lëvizjes Vetëvendosje! Por as ky, as ata të mëhershmit nuk e kanë zmbrapsur as trembur Lëvizjen dhe aktivistët e saj”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas tyre, ky dëmtim i zyrave është bërë me motiv krejtësisht politik.

Dega e Vetëvendosjes në Kamenicë ka kërkuar nga policia që ta zbardhë këtë rast.

“Ne e ftojmë policinë që ta zbardhë këtë rast. Sulmuesve ua bëjmë të qartë se këto imtësira, sado të shëmtuara nuk na ndalojnë as punën, as hovin dhe as qëllimin për të cilin angazhohemi”, përfundon komunikata.

Lëvizja Vetëvendosje qeverisë në Kamenicë, ani pse javë më parë kryetari i kësaj komuna, Qëndron Kastrati dha dorëheqje nga të gjitha postet që i kishte pasur në këtë parti.