Studentët Bëhen me Qendrën e Tyre Mjekësore

Drejtues të institucioneve lokale e qendrore të vendit përuruan të mërkurën Qendrën e Mjekësisë Familjare në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, e cila do të shërbejë për rreth 4 mijë studentë që janë banorë të kësaj qendre dhe të tjerët të cilët nuk janë banorë në kampus.

QMF-ja do të punojë në një ndërrim, prej orës 07:00 deri në orën 15:00, ndërsa riaftësimi i qendrës e cila kishte funksionuar edhe më herët u bë me një investim prej 5 mijë euro.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami tha se hapja e kësaj qendre do të rikthejë traditën e vjetër të ofrimit të shërbimeve mjekësore për studentë brenda qendrës së tyre.

“Në kohën kur ne kemi qenë studentë kjo qendër ka qenë e funksionalizuar’’, tha Bajrami.

Sipas tij, Komuna e Prishtinës ka siguruar stafin dhe pajisjet, ndërkaq Qendra e Studentëve ka renovuar dhe adoptuar ambientet për një qasje të lehtë dhe funksionale.

Ndërsa, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se komuna ka investuar në këtë qendër pavarësisht se një gjë e tillë nuk ka qenë në kompetencë të saj.

“Edhe pse nuk është përgjegjësi dhe nuk kërkohet nga ne si komunë e Prishtinës që të ofrojmë shërbime për banorë që janë jashtë Prishtinës, megjithatë kërkesa e madhe e studentëve të cilët jetojnë nëntë muaj në vit dhe janë banorë të rregullt të komunës së Prishtinës, ne tashmë do të ofrojmë shërbime të mjekësisë familjare në konviktet e studentëve për të gjithë studentët e Universitetit të Prishtinës’’, tha Ahmeti.

Drejtori i Qendrës Studentore, Fatmir Sfishta, tregoi rrjedhshmërinë deri tek funksionalizimi i Qendrës Mjekësore në kampusin e Qendrës së Studentëve.

‘’Unë jam targeti i parë i studentëve, të cilët e kanë shtruar presionin tek unë, e unë tek kryetari i komunës, më fal kryetar se t’kam bërë presion disa herë edhe drejtorin e shëndetësisë, mirëpo ky është një projekt kapital me të cilin ne i kemi krijuar të gjitha kushtet që të jemi një qytet studenti’’, tha Sfishta.

Deri tani, Qendra e Studentëve nuk i ka ofruar asnjë lloj shërbimi mjrekësor studentëve që jetojnë në konvikte.