Sot Numërohen Votat e Panumëruara për Kryetar të Prishtinës e Prizrenit

Pasi Gjykata Supreme rrëzoi vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rinumërim të votave në Prishtinë e Prizren, sot nis numërimi i votave të mbetura pa numëruar nga këto komuna.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së tha dje për KALLXO.com se numërimi i votave me kusht, atyre me postë dhe të personave me aftësi të kufizuar nis të dielën.

Sipas Elezit në fillim do të rinumërohen votat e disa vendvotimeve në komunat e Dragashit dhe Rahovecit.

Pas përfundimit të këtij numërimi, do të fillojë edhe ai për votat  me kusht, ato me postë dhe votat e personave me aftësi të kufizuara në komunat Prishtinë e Prizren.

“Pas përmbylljes së këtyre dy komunave do të fillojmë me numërimin e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave përmes postës nga zgjedhjet për Kryetar të Komunës së Prishtinës dhe pastaj edhe të atyre për Komunën e Prizrenit”, tha Elezi.

KALLXO.com shkroi për vendimin e Supremes që rrëzoi rinumërimin në Prishtinë e Prizren.

Lëvizja Vetëvendosje në një konferencë për gazetarë e kërkoi sot vazhdimin e numërimit të votave të mbetura në dy komunat kryesore të vendit.