Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komunat e dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për tatimin në pronë

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka dërguar sot në Gjykatë Kushtetuese, Ligjin për tatimin në pronë të paluajtshme, i cili parasheh faljen e 100 eurove të tatimit për qytetarët.

Dorëzimin e kërkesës për vlerësimin e ligjshmërisë së këtij ligji e bënë drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi dhe kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj.

Totaj tha se kjo kërkesë është bërë për shkak se Ligji ndërhynë në kompetencat vetanake të komunave.

“Pas themelimit të Gjykatës Kushtetuese, kjo është hera e parë që komunat e bëjnë një kërkesë të tillë sepse kemi të bëjmë me ndërhyrja të kompetencave vetanake të komunave sa i përket autonomisë financiare dhe direkt në tentim të zvogëlimit të të hyrave buxhetore. Ne e pamë të udhës që ta kontestojmë” – tha ai.

Ai bëri të ditur se deri sa vendimi të merret kanë kërkuar masë parandaluese apo mbrojtëse.

“Jam i sigurtë që Kushtetuesja ka me aprovu kërkesën tonë sepse është evidente se ky ligj për tatimin në pronë ndërhyn në mënyrë direkte në autonominë e Kosovës ku dëmi për të gjithë komunat e Kosovës do të jetë rreth 30 milionë euro” – tha ai.

Ndërsa Totaj tutje tha se të komuna e Prizrenit zvogëlimi i të hyrave buxhetore do të jetë deri në 3 milionë euro.

Muajin e kaluar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë ndryshimin e Ligjit për pronën e paluajtshme, përmes të cilit mundësohet zbritja prej 100 euro në faturat e tatimit në pronë për vitin 2023.

Sipas Ministrisë së Financave, përmes këtij Ligji poashtu mundësohen lirime tatimore për banimin primar e tokën bujqësore.

Dy ditë më parë, Ministri i Financave, Hekuran Murati ka komentuar paralajmërimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës për dërgimin në Kushtetuese të Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, duke thënë se një veprim i tillë është absurd dhe hipokrizi.

Në konferencë për media, Murati ka thënë se qeveria vetëm e ka krijuar bazën ligjore, vendimi për falje i takon komunave.

“Kjo na kthen përsëri në atë pikën fillestare që çdo herë kemi thënë që kryesisht tek opozita e që në këtë rast edhe AKK dominohet nga opozita, ka një lloj hipokrizie sa i përket çështjeve të halleve të qytetarëve që shpesh herë pretendojnë se i qajnë. Nëse kërkesa ka qenë se duhet të ulet barra tatimore për qytetarët ne u kemi mundësuar me këtë ligj, dhe tani janë pikërisht komunat që po e kundërshtojnë” – tha Murati.

Murati: Dërgimi në Kushtetuese i Ligjit për Tatimin në Pronë, hipokrizi e Asociacionit të Komunave