Gjykimi per akuzen e kanosjes ndaj kryetarit te Prizrenit, Shaqir Totaj - Foto: KALLXO.com

Kanosja ndaj kryetarit të Prizrenit, njëri i pandehur e pranon fajësinë

Njëri nga të pandehurit e ka pranuar fajësinë në gjykimin për kanosje ndaj kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.

Faik Kryeziu dhe Shkëlqim Kryeziu po akuzohen se përmes telefonit i kanë dërguar të parit të Prizrenit tekst të shkruar me përmbajtje kërcënuese.

Rasti ka lidhje me një kontest pronësor që ka penguar përfundimin e rrugës “Tranziti i ri” në lagjen “Arbana”.

Në shqyrtimin fillestar në Gjykatën e Prizrenit pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ramadan Koro i pandehuri Faik Kryeziu u deklarua i pafajshëm, ndërkaq Shkëlqim Kryeziu e ka pranuar fajësinë.

“Qëllimi im nuk ka qenë që ta kanos askënd, mirëpo nëse kryetari apo familjarët e tij e kanë ndier veten të rrezikuar unë i kërkoj falje, ndihem tejet i penduar për veprimin e bërë. Është hera e parë që kam ra ndesh me ligjin dhe garantoj në të ardhmen se nuk do të kryej veprime të tilla inkriminuese apo të ngjashme” – ka thënë i pandehuri Kryeziu.

Por këto deklarime nuk i dëgjoi kryetari Totaj pasi nuk mori pjesë në seancë.

Pranimi i fajësisë nuk u kundërshtua nga ana e Prokurorisë e as nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Metush Biraj.

Gjyqtarja e rastit, Vjollca Buzhala, ka aprovuar pranimin e fajësisë nga Shkëlqim Kryeziu pas ishte bërë konform ligjit.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet pasi të përfundojë procedura për të pandehurin tjetër, Faik Kryeziu, i cili brenda afatit ligjor duhet të paraqesë kundërshtimin e aktakuzës dhe provave.

Sipas aktakuzës të datës 28 shkurt 2023, Faik Kryeziu më 6 qershor, 1 shtator dhe 18 tetor 2022, në Prizren, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit ka kanosur personin zyrtar në lidhje me punën e tij zyrtare, të dëmtuarin Shaqir Totaj – kryetar i Komunës së Prizrenit për shkak të një kontesti pronësor me Komunën e Prizrenit.

Në dosje thuhet se i njëjti përmes telefonit i kishte dërguar të dëmtuarit Totaj tekst të shkruar me përmbajtje kërcënuese: “Je tuj lujt me nerva të mija, mos harro qe e ke premtua me zgjedh këtë çështje, kam me e ndjek këtë çështje deri ne Strasburg”, “…por mos harro se kështu me mua nuk të shkon, kurr skeni me mujt me ba si te don ti as ata hajnat e tjerë të qeverisë, keq shume ke ba qe me ke rrejt”, se “mos dil rreně….hajde preke token pra mase koka e komunës, pa ma kompensua si duhet jo ti po ska lind hala kerkush qe mundet me hy në tokë e ne shtëpi teme harroje”.

Me çka me këto veprime tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij. Për këto veprime, Faik Kryeziu po akuzohet se ka kryer veprën penale kanosja.

I përfshirë në aktakuzë është edhe Shkëlqim Kryeziu i cili më 24 janar 2023, në Prizren, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit te ankthit, seriozisht e kanos personin zyrtar në lidhje me punën e tij zyrtare dhe ate te dëmtuarin Shaqir Totaj – kryetar i Komunës së Prizrenit, për shkak mosmarrëveshjeve paraprake në lidhje me një kontest pronësor me Komunën e Prizrenit.

Sipas Prokurorisë, në ditën kritike përmes Hekuran Gashit i dërgon porosi djalit të të dëmtuarit Shaqir Totaj, me fjalët: “Thuaj djalit të Kryetarit le t’i thotë babës vet le të ndalet sepse ‘nëse ti nuk mi le rahat fëmijët e mijë unë nuk ta lë rahat djalin tëndë”.

Ndërkaq, më 17 tetor 2022, i njëjti pas një video të publikuar në media në RTV “Besa”, me titull: Kuvendi miratoi vendimin për trasferimin e mjeteve për lirimin e rrugës së ‘Tranzitit të vjetër’, i pandehuri në gjendje të acaruar në hapësirën e komenteve të këtij mediumi shënon tekst me përmbajtje kërcënuese: “ta qi*** pi*** e nanës ty dhe krejt atyre që hajn m*t si ti, ani hajde provoje vetën a hin aty pra masi koka e Komunës toka”.

Për këto veprime, Shkëlqim Kryeziu akuzohet se ka kryer veprën penale – kanosja.