AAK del nga koalicioni qeverisës me PDK-në në Prizren

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Prizren, ka dalë nga koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës në qeverisjen lokale.

Në një komunikatë për media, AAK deklaron se kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka filluar të marrë veprime pa konsultimin dhe pajtimin e Aleancës.

“Aleanca këto dy vite, me tri drejtoritë që i kemi pasur, ka bërë një punë të shkëlqyer dhe një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë me qytetarë, mirëpo kohëve të fundit, kryetari Totaj ka filluar të marrë veprime pa konsultimin dhe pajtimin e Aleancës, veprime që janë në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit ndërpartiak dhe bashkëqeverisës”- thuhet në komunikatë.

AAK-ja thotë se nga sot nuk është në bashkëqeverisje me Shaqir Totajn, teksa thekson se do vazhdojnë të punojnë “në të mirën e përgjithshme të qytetarëve të Komunës së Prizrenit”.

“Kështu që nga sot Aleanca nuk është në bashkëqeverisje me Shaqir Totajn. Aleanca është dhe mbetet subjekt serioz politik dhe do të vazhdojë të punojë fuqishëm në të mirën përgjithshme të qytetarëve të Komunës së Prizrenit”- theksohet në njoftim.

Komuna e Prizrenit drejtohet nga Shaqir Totaj i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i cili pati lidhur koalicion me AAK-në dhe Nismën Socialdemokrate.