Slavko Simiq, deputet, Lista Serbe,

Slavko Simiq: Ndaj Rikalos po Bëhet Linçim

Shefi i grupit parlamentar të Listës Serbe, Slavko Simiq, i ka dhënë mbështetje Nenad Rikalos, ministrit të Bujqësisë në qeverinë e Kosovës, ndaj të cilit janë ngritur dyshime për tortura ndaj civilëve shqiptarë gjatë viteve 1990.

Ai bëri thirrje që t’i jepet fund asaj që ai e quajti represion ndaj ministrit ndërsa foli për familjen Rikalo.

“Familja Rikalo ka qenë e ndershme… prandaj z. Rikalo ka mbështetjen e plotë të Listës Serbe, e ka mbështetjen e plot ëtë përfaqësuesve politikë serbë, të popullit serb por edhe të popullit shqiptar dhe përfaqësuesve politikë të popullit shqiptar. Nuk ka kuptim që të humbim kohë me interpelanca të tilla”, tha Slavko Simiq.

Në seancën ku po mbahet interpelanca me kryeministrin Ramush Haradinaj rreth këtyre dyshimeve, Simiq shprehu “pakënaqësinë dhe shqetësimin” e tij duke thënë se thirrja e kësaj seance “është bërë si instrument për të bërë dhunë institucionale”.

“Disa deputetë, më parë përmes mediave janë munduar ta akuzojnë z. Rikalo, e sot përmes fjalimeve në Kuvend u munduan në njëfarë mënyre ta gjykojnë”, tha Simiq në seancën e Kuvendit.

“Kemi dalë nga kriza institucionale e cila ka zgjatur disa muaj dhe është e vështirë për mua ta kuptoj se dikush që deri dje ka qenë në qeveri e sot është në opozitë nuk ka vendime konkrete për qytetarët tanë të cilët përballen me probleme”, shtoi Simiq.

“E kam të vështirë ta kuptoj që dikush përmes mediave mundohet të krijojë atmosferë linçimi ndaj z. Nenad Rikalo”, tha ai.