Sveçla kërkon nga deputeti i Listës Serbe të apeloj që Radojiçiqi të kthehet në Kosovë për t’u përballur me drejtësinë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka raportuar sot në Komisionin për Siguri dhe Mbrotje.

Gjatë mbledhjes Sveçla ka debatuar me deputetin e Listës Serbe Slavko Simiq dhe ka kërkuar ardhjen në Kosovë të nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiq për t’u përballur me akuzat nga institucionet e drejtësisë.

“Do t’ju lusja që t`i bëni apel zëvendëskryetarit të juaj të përballet me akuzat për të cilat akuzohet për të cilat ka ikë. Policia ka dëshmi për përfshirje të tij në aktivitete kriminale dhe këtë e ka deklaruar edhe prokuroria. Ai nuk akuzohet për aktivitet politik por kriminal”, ka thënë Sveçla.

Sveçla tutje ka thënë se ka me dhjetra sulme që kanë ndodh më herët në zonën e veriut dhe askush nuk është përgjigjur për to.

“Është vrarë Enver Zymberi, zyrtari i EULEX, janë plagosur policë të Kosovës, janë djeg institucione, pikat kufitare, ka pas shumë shkelje të ligjit të cilat nuk janë zbuluar. Kësi lloj imuniteti ndaj ligjit nuk do të ketë më, dhe kemi përkrahjen e vendeve mike qe këto raste të zbulohen, edhe këto të reja edhe ato qe kanë ndodh më herët”, ka thënë Sveçla.

Deputeti i Listës Serbe, Slavko Simiq ka kërkuar nga ministri që rrugët siç tha ai ‘alternative’ në veri të lirohen, pasi qytetarët atje po hasin më vështirësi.

“Unë dua të shpreh shqetësimin tim për shkak aksionit policor i rrugëve që është bërë me 24 prill në Leposaviq, Zubin Potok dhe me këtë është vështirësuar jeta ku kemi persona të vjetër dhe e kanë të vështirë të shkojnë në spital dhe fëmijët në shkollë. Dua të ju them se ky është një gjest jo human ndaj popullatës dhe kërkoj që këto rrugë të hapen”, ka thënë Simiq.

Sveçla këto rrugë i quajti ilegale dhe jo alternative, sipas tij janë rrugë të cilat përdoren për kontrabandim dhe aktivitete ilegale.

“Në atë zonë nuk ka rrugë alternative, ka rrugë ilegale që shteti Kosovës ka vendos me i mbyll. Mes dy shteteve nuk mund të ketë rrugë alternative pa marrëveshje mes dy vendeve. Policia e Kosovës, ka hap pengesa që rrugët që janë hap ilegalisht të pamundësohet që të shfrytëzohen për aktiviteteve ilegale”, ka thënë Sveçla.