Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Mimoza Kusari-Lila dorëzon kallëzim penal ndaj Sllavko Simiqit për audio-incizimet

Kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendsoje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ish-nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, ish-deputetit dhe zyrtarit të Listës Serbe, Sllavko Simiq.

Sipas Kusari-Lilës, incizimi dhe publikimi i incizimit të jashtëligjshëm nga Simiq nuk ka qëllim as informimin e drejtë, as ndonjë parim tjetër.

“Inçizimi dhe publikimi i inçizimit të jashtëligjshëm nga ish Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Slavko Simiq,  shpërndarja e tyre me interpretime dhe ndërhyrje, nuk e kanë qëllimin as informimin e drejtë, as ndonjë parim tjetër. Ato janë akte penale në njërën anë, dhe aktivitete dezinfomuese nga ana tjetër.  Të njëjtat tani janë pjesë e kallzimit penal dorëzuar Prokurorisë së Shtetit me 1 Gusht, 2023”- ka shkruar Kusari-Lila.

“Përveç jashtëligjshmërisë së incizimit, pastaj përcjelljes për përfitim material dhe personal, partiak, me qëllim denigrimin e tjetrit për shkak të detyrës që mban, sekuencat kohore të materialit janë ndryshuar e materiali është manipuluar. Nuk i ka mjaftuar incizimi, kjo vepër e rëndë penale por kanë vijuar dhe me deformimin e përmbajtjes”- shton ajo.

Deputetja shton se këtë periudhë kohore janë publikuar dhjetëra lajme të rreme, që sipas saj janë verifikuar nga monitoruesit e që siç shprehet Kusari-Lila “burimi i tyre përveç nga individë është edhe nga një parti politike parlamentare, PDK”.

“Kjo është një fushatë e sulmit ndaj meje dhe rrjedhimisht ndaj detyrës që unë mbaj, ndaj  grupimit politik e institucional që unë i përkas”- thekson ajo

Ky është njoftimi i plotë i Kusari-Lilës:

Dorëzova Kallzim penal ndaj ish Nënkryetarit të Kuvendit, ish deputetit dhe zyrtarit  të Listës Serbe, Slavko Simiq

Inçizimi dhe publikimi i inçizimit të jashtëligjshëm nga ish Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Slavko Simiq,  shpërndarja e tyre me interpretime dhe ndërhyrje, nuk e kanë qëllimin as informimin e drejtë, as ndonjë parim tjetër. Ato janë akte penale në njërën anë, dhe aktivitete dizinfomuese nga ana tjetër.

Të njëjtat tani janë pjesë e kallzimit penal dorëzuar Prokurorisë së Shtetit me 1 Gusht, 2023.

Përveç jashtëligjshmërisë së inçizimit, pastaj përcjelljes për përfitim material dhe personal, partiak, me qëllim denigrimin e tjetrit për shkak të detyrës që mban, sekuencat kohore të materialit janë ndryshuar e materiali është manipuluar.  

Nuk i ka mjaftuar inçizimi, kjo vepër e rëndë penale por kanë vijuar dhe me deformimin e përmbajtjes.

Gjuha me qëllim nxitjen e urrejtjes, mosdurimit dhe denigrimit të tjetrit  e përdorur gjatë komentimit të materialit, ka nxitur kërcënimet ndaj meje nga persona të caktuar. Edhe ato janë paraqitur tek autoritetet relevante.

Të dashur qytetare e qytetarë,

 Në këtë periudhë kohore janë publikuar dhjetëra lajme të rreme, të verifikuara nga monitoruesit. Burimi i tyre përveç nga individë është edhe nga një parti politike parlamentare, PDK.

Kjo është një fushatë e sulmit ndaj meje dhe rrjedhimisht ndaj detyrës që unë mbaj, ndaj  grupimit politik e institucional që unë i përkas. 

Lista Serbe ka 14 muaj që nuk është më pjesë e institucioneve. Deputetët e dikurshëm të Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje nga Kuvendi i Kosovës. Ata janë gjendur në veprime të tjera kriminale duke sulmuar gazetarët dhe pjesëtarët e NATO-s në protestat e dhunshme që i shkaktuan në 3 komunat e veriut të vendit gjatë muajit Maj dhe Qershor.

Abuzimi ekstrem me këtë material të jashtëligjshëm do të përcillet tek të gjitha institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe publikimin e informacionit.

Për pjesëtarin e Listën Serbe, për porositësit e urdhëruesit e tij dhe për shpërndarësit e nxitësit e dhunës dhe urrejtjes në publik do të vijojnë denoncimet.

Të njëjtët po synojnë të vijojnë me fushatat e tyre.

Pavarësisht si duken fytyrat dhe emrat, le ta themi qartë cila është adresa e kësaj fushate: Serbia, regjimi i Vuçiqit dhe bandat e zgjatimet e tyre në Kosovë.

Gazeta Nacionale ka publikuar një audio-incizim, ku pretendohet që janë duke folur shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq.

Në këtë audio-incizim pretendohet se Kusari- Lila ka folur për listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe Projektligjin për pensionet e veteranëve.

Kusari- Lila ka pranuar në Debat Plus në RTV Dukagjini se në takim me Sllavko Simiqin ka biseduar përmes telefonit edhe me Millan Radojiçiqin, ky i fundit i kërkuar nga Policia dhe i futur në listën e zezë nga SHBA.

Kryetarja e grupit parlamentar të LVV-së  ka paralajmëruar se ka përgatitur dy kallëzime penale, një për Simiqin dhe një për gazetarin Berat Buzhala, i cili kishte publikuar audio-incizimet në portalin e tij Gazeta Nacionale.